E Diel, 1 Nëntor 2026

Kongresi i PD-së, Patozi: Nuk do të sjellë ndryshim të lidershipit



Kongresi i demokratëve, që do të mbahet më 12 dhjetor, nuk pritet të sjellë ndryshime. Këtë deklaratë e ka bërë dje nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, gjatë një prononcimi për “Top-Channel”. Patozi është shprehur se në këtë kongres do të ketë njohje të meritave për lidershipin e partisë, që solli një mandat të dytë qeverisës për Partinë Demokratike. Ai hedh poshtë zërat nga Kryesia e PD-së që kritikojnë lidershipin për një fitore të brishtë në zgjedhje, dhe jo “fitoren si në vitin 1992” që kishte premtuar në krye fushatës elektorale kryetari i PD-së, Berisha. Patozi u shpreh se PD-ja ishte në garë me Partinë Socialiste në zgjedhje dhe fitoi, nuk ishte në garë me veten dhe humbi. Ai shprehet se ndarja e posteve në PD mund të miratohet vetëm për sekretariatin, ndërsa lidershipi i partisë nuk do të ndryshojë. Sipas tij, lidershipi është ai që menaxhon fushatën elektorale dhe ndikon në rezultatin pozitiv ose negativ në zgjedhje. Për këtë arsye, kur partia fiton zgjedhjet, i takon lidershipit që të qeverisë vendin dhe të marrë poste qeveritare, krahas atyre partiaket.
Postet
“Më 12 dhjetor ne shkojmë drejt një procesi finalizues të zgjedhjeve të brendshme në Partinë Demokratike, pas një fitoreje elektorale më 28 qershor. Dhe, në një farë mënyre, unë pres që ky kongres të njohë rezultatin dhe të vlerësojë fitoren e Partisë Demokratike në këto zgjedhje”, - është shprehur Patozi. Anëtarë të Kryesisë Qendrore të Partisë Demokratike kanë hedhur kritika në drejtim të lidershipit të kësaj partie. Ata janë shprehur se rezultati në zgjedhje nuk ishte ai i premtuari. Madje PD-ja ka dalë humbëse në qytetet bastione si në Shkodër, kur kishin premtuar 9 mandate, dhe jo 7. Më tej zërat kritikë janë shprehur për ndryshimin e Kryesisë së vogël, të pestë anëtarët e së cilës kanë dalë humbës në 5 qarqet më të mëdha të vendit. Por Patozi mendon ndryshe. Ai shprehet se përderisa PD-ja është në qeveri, atëherë nuk është koha për të nxjerrë përgjegjësi, por për të marrë merita për fitoren. “Unë besoj se përpara se të nxjerrim përgjegjësitë ne duhet të njohim meritën për fitoren. Partia Demokratike nuk kishte vënë një bast për numrat e deputetëve që duhet të kishte në Parlament, por kishte garë me Partinë Socialiste për të vijuar apo jo qeverisjen. Ne vijmë pas një fitoreje dhe është paradoksale që në PS po kërkohet merita, kurse në PD të kërkohet përgjegjësia. Unë hyj te njerëzit që e kërkojnë përgjegjësinë te vetja, por kjo nuk më pengon të them se ne duhet ta fillojmë kongresin duke marrë parasysh fillimisht meritën”, - është shprehur Patozi. Në Kuvendin Kombëtar demokratët do të miratojnë edhe disa ndryshime në Statut. Por, për ata që presin ndryshime radikale, kjo nuk është koha e duhur. Ndryshimet në Statut kanë të bëjnë me përshtatjen e funksionimit të PD-se sipas sistemit të ri elektoral dhe asgjë më shumë. Ata që kërkojnë ndarjen e posteve partiake nga ato qeveritare duket se do të mbeten të zhgënjyer edhe këtë herë. Patozi shprehet se lidershipit të partisë i takon të qeverisë vendin. “Parimi politik është që lidershipi i partisë vendos për qeverinë, dhe jo e kundërta. Për shkak se një parti, kur vjen në pushtet, drejtuesit e saj zënë vend në qeveri dhe jo e anasjella”, - shprehet Patozi.
Më 12 dhjetor duket se demokratet do të kenë vetëm një alternativë për liderin e tyre, dhe ky është kryetari aktual, Sali Berisha. Por, nënkryetari Patozi shprehet se mungesa e një rivali nuk do të thotë një anomali e demokracisë. “Do të ishte më mirë që të mos ketë rivalitet, sesa të shpikim rival kukull, ashtu siç ndodhi në PS. Partia Demokratike nuk ka nevojë të shpikë një ‘Lakror’ për zgjedhjet e brendshme të saj. Zoti Berisha ka meritën kryesore për zgjedhjet e 28 qershorit”, - u shpreh Patozi.

10 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›