Pi helm, rrezikon jetën 25-vjeçarja
Një 25-vjeçare është vetëhelmuar dhe ndodhet në rrezik për jetën. Vajza ka konsumuar një lëndë helmuese ende të panjohur dhe është gjetur në gjendje të rëndë nga familjarët e saj. Ajo është dërguar menjëherë në spitalin e Durrësit natën e 22 janarit, por pasi i kanë dhënë ndihmën e parë, mjekët e kanë dërguar në Spitalin Ushtarak, duke parë gjendjen e rëndë të së resë. Sonila P. 25 vjeçe, lindur në Kavajë dhe banuese në Shkozet të Durrësit, kishte pirë lëndën helmuese në banesën e saj. Burimet policore bënë të ditur se për momentin nuk dihet se çfarë lloji është kjo lëndë, por materiali i mbetur në gotë është dërguar për ekspertim. Po punohet gjithashtu për të sqaruar rrethanat që e çuan të renë drejt një veprimi kaq të rëndë. Paraprakisht dyshohet për një histori të dështuar dashurie, që e ka shtyrë drejt vetëhelmimit, ndërkaq kanë nisur hetimet për veprën penale të "Shkaktimit të vetëvrasjes".