E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia shpëton të renë nga vetëvrasja

Ka tentuar të hidhet nga ura e Goricës për t‘i dhënë fund jetës, por shërbimet e policisë kanë arritur ta ndalin. Një 21-vjeçare nga qyteti i Beratit, ka tentuar të vrasë veten në një vend të ekspozuar dje paradite, rreth orës 11:00. Sipas policisë lokale, 21-vjeçarja me inicialet E.L. ka tentuar të hidhet nga ura e Goricës, por është shpëtuar. Vajza, banore e lagjes "Goricë" në këtë qytet, mësohet se dje paradite është parë në urën e Goricës, hipur mbi parmakët e saj, në tentativë për t‘u hedhur prej andej në ujërat e lumit Osum. Ishin kalimtarët e rastit ata që dhanë alarmin sapo kanë parë vajzën në tentativë për t‘i dhënë fund jetës, duke u hedhur nga ura.

Vajza nuk ka pranuar t‘i afrohej askush dhe ka deklaruar se do të hidhej nga ura nëse i afroheshin për ndihmë. Kalimtarët e rastit reaguan menjëherë, duke kërkuar ndihmën e policisë, por në vendin e ngjarjes është gjetur menjëherë grupi i gatshëm i Komisariatit të Policisë së Beratit, që ndodhet shumë pranë urës. Uniformat blu i janë afruar qetësisht vajzës, duke i kërkuar të zbriste nga parmaku i urës dhe pas disa minutash, ajo mësohet se ka pranuar dhe ka zbritur, duke shpëtuar në këtë mënyrë nga vdekja, pasi shtrati i lumit ishte i tejmbushur me ujë, si pasojë e reshjeve të shumta të shiut të rëna gjatë natës.

Vajza është larguar më pas me qetësi nga ura dhe është shoqëruar në ambientet e komisariatit të policisë.

Motivet

Menjëherë pas shoqërimit të vajzës në polici, janë njoftuar prindërit e saj, banorë të lagjes "Goricë" në këtë qytet. Në prezencën e tyre dhe të psikologes, vajza është marrë në pyetje rreth motiveve që për pak e shtynë t‘i jepte fund jetës. Pas disa orësh marrje në pyetje, ajo nuk ka pranuar të tregojë asgjë rreth motiveve që e shtynë drejt këtij vendimi ekstrem. Ajo ka pranuar shkurt se ishte e mërzitur dhe nuk ka dhënë asnjë detaj rreth motiveve që për pak mund t‘i kishin kushtuar jetën.

Ndërkohë, as prindërit e saj nuk treguan asgjë në lidhje me motivet, duke shprehur habinë rreth vendimit të vajzës për t‘i dhënë fund jetës. Ata thanë se vajza nuk kishte asnjë motiv për t‘i dhënë fund jetës. Ndërkohë, sipas informacioneve të siguruara në rrugë operative nga policia, mësohet se vajza pak minuta përpara se të merrte vendimin për t‘i dhënë fund jetës, ishte parë duke u grindur me disa djem, bashkëmoshatarë të saj.

Rastet

Ky është rasti i dytë në një hark të shkurtër kohor kur Policia e Beratit parandalon një vetëvrasje. Katër muaj më parë, 35- vjeçarja me iniciale R.Xh., nga lagjja "Çlirim", e qytetit të Beratit, u përpoq t‘i jepte fund jetës, duke tentuar të hidhej nga e njëjta urë, por u bind nga policia të mos e kryente këtë veprim. Gruaja tentoi të vetëvritej pasi kishte marrë një kredi të cilën nuk e shlyente dot. Më parë, në vitin 2007, një grua e moshuar u shpëtua gjallë, pasi ishte hedhur në ujërat e Osumit për t‘u mbytur. Një djalë i ri e kishte parë gruan kur ishte hedhur në ujë dhe arriti ta nxirrte atë, duke rrezikuar edhe jetën e tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›