Shoferi kërcënon mësuesit se u ankuan për shërbimin
"Do t‘ju shtyp kokën!" Me këto fjalë dhe shumë fyerje të tjera, u është drejtuar një shofer dhe pronar autobusi disa arsimtarëve nga qyteti bregdetar i Durrësit. Në këtë mënyrë, një grup mësuesish janë gjendur përballë një situate aspak të zakontë, që ka kthyer në vëmendje debatet e herëpashershme të krijuara nga lidhja e kontratave mes Drejtorisë Arsimore të Durrësit dhe autobusëve të linjave rurale që transportojnë mësuesit nga qyteti-port në shkollat e fshatrave. Një drejtues autobusi, pasi ka mësuar nga burimet e tij të brendshme në drejtorinë arsimore se disa mësues janë ankuar në lidhje me shërbimin që ai ofron, ka vendosur të hakmerret. Bilal Kërtusha, 51 vjeç, nga Durrësi, ka ndaluar autobusin e tij jo si zakonisht në stacion, por disa metra më larg vendit të zakonshëm dhe ka ushtruar dhunë psikologjike mbi katër mësues, të cilët punojnë në zonën e Ishmit. Fjalët fyese dhe kanosëse janë drejtuar mbi mësuesin Bajram Taipi, 56 vjeç, banor i lagjes nr.3 të Durrësit, si dhe tre mësueseve të tjera. Kërtusha, i acaruar, pasi ka ndaluar autobusin e tij të linjës Durrës-Ishëm, u ka thënë arsimtarëve se ata që ishin ankuar për të nuk duhet të hipnin më në autobusin e tij. "Pasi na tha: ‘Do t‘ju shtyp kokën‘, ai vazhdoi me ofendime të tjera ndaj nesh". Kështu deklaruan në Komisariatin e Policisë së Durrësit mësuesit e kanosur, duke kërkuar ndërhyrjen e policisë për të vazhduar punën e tyre qetësisht dhe pa presionin e bërë nga 51-vjeçari. Mësuesit kanë zgjedhur policinë, duke mos pasur më besim te eprorët e tyre në Drejtorinë Arsimore Rajonale. Me të marrë denoncimin, ndaj drejtuesit të mjetit që bën transportin e mësuesve nga Durrësi në Ishëm dhe kthimin, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për kanosje, ndërsa i është tërhequr paraprakisht vëmendja për të mos u krijuar më probleme personave të kanosur prej tij. Ndërkohë po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe në pyetje do të merren edhe drejtues të Drejtorisë Arsimore Rajonale në Durrës, për të hedhur dritë mbi konfliktin.