Gjendet i masakruar emigranti
BERAT / DILAVER XHELILI
Masakrohet dhe më pas vritet me plumb në zemër emigranti i sapokthyer nga Greqia. Erjon Shuka, 30 vjeç, nga Guri i Bardhë në Urën Vajgurore, dyshohet se u ekzekutua për shkak të larjeve të hesapeve. Ngjarja që ndodhi mesnatën e së premtes vuri në alarm dje në mëngjes policinë e Beratit, e cila u sinjalizua nga banorët e fshatit Moravë që gjetën kufomën.
Ngjarja
Erjon Shuka u gjet pa jetë në një arë buzë lumit Osum. Viktima ishte masakruar në kokë me sende të forta, ndaj banorët e fshatit Moravë të komunës Otllak në Berat vunë në alarm menjëherë policinë. Ekspertë të Policisë Kriminalë u nisën drejt vendit të ngjarjes, nga ku konfirmuan se viktima ishte masakruar dhe më pas vrarë. Janë dashur disa orë derisa trupi i 30-vjeçarit, që kishte ardhur një javë më parë nga Greqia, të identifikohej në morgun e qytetit. Pas këqyrjes së ngjarjes dhe hetimeve paraprake, rezultoi se viktima është vrarë në vendin ku edhe u gjet. Autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë ende nuk janë identifikuar, por burime të policisë bënë të ditur se nisur edhe nga mekanizmi i kësaj vrasjeje, dyshohet se autorët të jenë më shumë se një. Viktima është gjetur në pozicion përmbysur. Autorët e kanë masakruar fillimisht me leva dhe sende të forta në kokë. Ata e kanë qëlluar disa herë në fytyrë me mjete të mprehta, aq sa identifikimi i tij nga familjarët është arritur në sajë të veshjes dhe shenjave të tjera dalluese në trup. Për t'u siguruar se viktima do të jepte shpirt, autorët e kanë qëlluar edhe me një plumb të një pistolete në shpatull. Plumbi i ka përshkuar trupin duke i prekur dhe zemrën, çka i ka sjellë edhe vdekjen e menjëhershme.
Hetimi
Ekspertët e Policisë Kriminale janë duke e hetuar ngjarjen në disa pista. Burime nga policia bënë të ditur se pista kryesore në të cilën po hetohet lidhet me larjen e hesapeve për probleme të mbartura që në shtetin fqinj, Greqinë, ku viktima kishte 4 vjet emigrant. Një pistë tjetër janë edhe konfliktet apo hesapet e vjetra që Erjon Shuka mund të ketë pasur në Shqipëri përpara se të emigronte. Mësohet se po hetohet edhe për borxhe të mundshme të tij. Burime të rezervuara bënë të ditur se nga dëshmitë e mbledhura, një tjetër pistë dyshimi hidhet dhe mbi një lidhje të përfunduar keq mes viktimës e një vajze nga Ura Vajgurore. Për policinë mund të bëhet fjalë dhe për një hakmarrje të mundshme nga të afërmit e vajzës, identiteti i së cilës nuk bëhet i ditur. Policia ka mbledhur të dhënat e para për ngjarjen, të cilat mund të vënë në udhë të mbarë hetimin. Banorët e fshatit kanë pohuar se në vendin ku u gjet viktima, dy ditë më parë kishin parë dy persona të cilët nuk ishin banorë të zonës. Ata ishin me një "Benz" të bardhë dhe po qëndronin duke parë me imtësi vendin përreth. Burimet nuk bëjnë të ditur nëse personat që kanë dhënë një dëshmi të tillë kishin mundur të siguronin targën e "Benzit". Mbrëmë gjer në orët e vona, policia kishte shoqëruar gjashtë persona, të cilët dyshohen se mund të kenë dijeni për ngjarjen apo të tjerë që janë banorë të fshatit ku u gjet viktima. Por policia ende nuk ka ndonjë të arrestuar për autorësinë e ngjarjes. Banorët e një shtëpie që ndodhej rreth 50 metra larg vendit, pohuan se pas mesnatës kishin dëgjuar thirrje për ndihmë dhe më pas krismën e armës. Por, sipas tyre, gjithçka kishte përfunduar shumë shpejt, ndërsa zhurma e lumit, moti i keq e me reshje kishte "mbuluar" thirrjet e viktimës.
Pistat e hetimit
Larje hesapesh për probleme të mbartura që nga shteti grek
Konfliktet dhe hesapet e vjetra përpara se të emigronte
Borxhet
Hakmarrja e të afërmve të një vajze, lidhjes me të cilën viktima i kishte dhënë fund