“Çmimet e Qeverisë, jo kushtetuese”
BLEDAR HOTI
Shoqata "Pronësi me Drejtësi" shprehet kundër mënyrës se si qeveria po vepron në rishikimin e çmimeve të reja të trojeve në shkallë republike. Sekretari i Përgjithshëm i shoqatës "Pronësi me Drejtësi", Agim Toro, në një intervistë dhënë për "Panorama", deklaron se çmimet e reja janë hartuar mbi bazën e preferencës së Ekzekutivit dhe jo mbi bazën ligjore që parashikohet në metodikën e miratuar nga ana e Kuvendit.
Z.Toro, cili është mendimi i shoqatës suaj në lidhje me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, për shfuqizimin e disa neneve. Ndërsa muaj më parë kjo Gjykatë rrëzoi ankimimin tuaj?
Si përmbajtje nuk e kam lexuar ende të plotë, por mendoj se është një vendim që lidhet me tërë vazhdën e antikushtetutshmërisë që ka ligji i legalizimeve. Ne si shoqatë "Pronësi me Drejtësisë" e kemi kundërshtuar këtë ligj. Kjo, pasi është një ligj që cenon themelet e ekonomisë së tregut, të pronësisë. Ishte pikërisht Gjykata Kushtetuese që e hodhi poshtë kërkesën tonë, duke quajtur ligjin e drejtë si kërkesë për shpronësim publik. Dhe ne vazhdojmë ta quajmë një vendim politik, sepse të gjitha çështjet që shoqata ka çuar në Gjykatën Kushtetuese janë rrëzuar nga ajo, duke pretenduar se ligjet e miratuar nga qeveria, pra që lidhen me çështjen e pronave janë kushtetuese. Por ne jemi të bindur se nëse këto ligje do të ishin kushtetuese, do ta kishin zgjidhur me kohë problemin e pronësisë, sepse duhet të ishin zgjedhje të drejta. Fakti që nuk është zgjidhur problemi i pronësisë, tregon se ligjet kanë qenë antikushtetuese. Por vendimi i fundit lidhet edhe me faktin tjetër, se përveç të drejtës së pronësisë, ligji i Legalizimeve ka shkelur dhe të drejtat e kompetencat e pushtetit vendor. Gjykata Kushtetuese fatmirësisht e pranoi këtë kërkesë, duke e quajtur si antikushtetuese, gjë që çon në bllokimin e vazhdimit të procesit të legalizimit, kështu siç është parashikuar nga ky ligj. Ne jemi të bindur se nuk mund të ketë legalizim, në rast se paraprakisht nuk zgjidhen ato të drejta që ky ligj shkel, sidomos të drejtën e pronësisë. Fakti se pavarësisht nga zhurma e bërë deri tani, ka dalë vetëm një vendim të qeverisë (VKM) për shpronësimin e pronarëve tregon që politika shqiptare nuk ka mundur të gjejë rrugët e duhura, dhe pse ka shumicën parlamentare. Ligji i Legalizimeve i vitit 2006, duke vijuar fushatën shumë të madhe para zgjedhjeve të 2005-ës, tregoi se pavarësisht vullneteve politike të maxhorancës, s'mund të zbatohet në politikë. Edhe vendimi i vetëm i qeverisë, i cili ka për qëllim të shpronësojë pronarët e ligjshëm për efektet e legalizimit, është ankimuar në Gjykatë, duke u kërkuar shfuqizimi nga ata pronarë. Vendimi i qeverisë në 2005-ën, i shpronësonte ato, por ish-pronarët e prekur e kanë kundërshtuar, pasi çmimet e përcaktuara janë qesharake.
Cili është mendimi juaj për vendimin e qeverisë, se 10 për qind e shumës nga privatizimet do t'i kalojnë për kompensimin ish-pronarëve?
Mendoj se një gjë e tillë është demagogji, sepse procesi thuajse ka përfunduar. Shumë pak nga ndërmarrjet shtetërore kanë mbetur pa u privatizuar. Tani është vetëm KESH-i dhe të gjithë të tjerat janë privatizuar. Eshtë për të ardhur keq se nga privatizimet strategjike, Albtelekomi, ARMO dhe OSSH, pronarët nuk përfituan asnjë qindarkë. Këtu duke përfshirë edhe ata pronarë, të cilët kanë interesa të drejtpërdrejta, sepse objektet e këtyre ndërmarrjeve ishin mbi tokat e tyre dhe gëzonin të drejtën e parablerjes. Kjo e drejtë, jo vetëm nuk u realizua, por akoma nuk është zbatuar. Dhe kjo tregon se është një demagogji, e cila përdoret për t'i hedhur hi syve pronarëve.
Kohët e fundit nga qeveria është marrë vendimi për rishikimin e vlerës së tokës për Tiranën dhe Durrësin. Cili është mendimi juaj si shoqatë?
Para 10 ditëve u nxor një vendim qeverie për ndryshimin e çmimit të tokës që kompensohet e nuk u kthehet pronarëve. Nuk jemi njohur akoma, sepse tabelat vazhdojnë të mbahen sekret nga qeveria. Por nga informacioni që kemi, rezulton se këto çmime nuk janë hartuar sipas metodikës së miratuar nga Kuvendi, për vlerësimin e tokës, gjë që tregon se çmimet janë të vendosura nga politika dhe për interesa të Ekzekutivit. Ne jemi të mendimit se moszbatimi i çmimeve të vendosura sipas metodikës, është një shkelje haptazi e Kushtetutës dhe ligjit "Për kthimin dhe kompensimin e pronave", që parashikon që pronarët të kompensohen financiarisht sipas çmimeve që ka tregu.
Ju si shoqatë jeni kundër këtij vendimi...?
Nëse nuk janë hartuar nga metodika aktuale, ne nuk e njohim. Pavarësisht se nuk e njohim, se themi se nuk janë hartuar sipas kërkesave të ligjit, mendoj se në përgjithësi ato janë të gabuara. Mendoj se ka nevojë të rishikohen çmimet. Sipas konstatimeve tona, në shumë raste janë të ulëta, gjë që tregon se ekspertët favorizojnë Qeverinë dhe shkelin pronarët. Zona e Bathores është e barabartë me Shëngjergjin e Zall-Bastarin. Bathorja, siç është njohur, është pjesë e qytetit të Tiranës, kur ndodhet në zonën suburbane dhe çmimet e tregut të kësaj zone janë të paktën 15-herë më të larta se çmimi i publikuar nga ana e qeverisë.
Prifti: Berisha të japë dorëheqjen, mashtroi 300 mijë familjet
Lëvizja Socialiste për Integrimin duke komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ligjin e "Legalizimeve", ka fajësuar Kryeministrin Sali Berisha për ngecjen e këtij procesi prej më se tre vitesh. Nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti, në konferencën e djeshme për median deklaroi se, "qëkur ka filluar qeverisjen Sali Berisha, kjo gjykatë i ka rrëzuar atij më shumë se 11 ligje antikushtetuese, dhe rrëzimi i këtij ligji e nxjerr Berishën plotësisht një mashtrues para gjithë atyre shqiptarëve që kanë shpresuar se do të kishte një proces legalizimi nga kjo qeveri". "Nuk janë pak, por janë 300 mijë procese legalizimi në të gjithë Shqipërinë. Dhe minimalisht janë plot 300 mijë shqiptarë, të cilët mashtrohen përsëri nga qeveria Berisha, për të cilët ky proces është shumë larg dhe i pamundur për t'u bërë nga kjo qeveri brenda kandidatit të saj. Sepse Berisha donte që ALUIZNI të kalonte në një sitë partiake të Shaban Memisë këto 300 mijë legalizime në Shqipëri. Pra, synimi i tyre ishte që të gjithë këta njerëz nën nevojë të kushtëzoheshin të bëheshin patjetër me PD-në dhe Berishën", deklaroi Prifti. Ai theksoi se, "minimalisht ne sot mund t'i kërkojmë Sali Berishës që ta japë dorëheqjen, sepse ka mashtruar mbi 300 mijë shqiptarë, të cilëve i ka premtuar se brenda vitit të tij të parë do të përfundojë ky proces legalizimi, dhe tani jemi në fund të mandatit të tij dhe gjykata i rrëzon atij ligjin".