E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet i masakruar trupi i një 22-vjeçari

Autori i Lajmit: red.
Një kufomë është gjetur paraditen e djeshme në vendin e quajtur 3 Urat, në fshatin Grabian të Lushnjës. Sipas informacioneve të para, kufoma që është e seksit mashkull, u gjet nga barinjtë e zonës dhe mendohet të jetë vrarë e më pas të jetë djegur. Viktima u gjet në një rrugë dytësore paralel me autostradën Lushnjë-Fier. Sipas policisë, në fillim viktima është dhunuar dhe goditur me mjete të forta, si sëpatë e pjesë hekuri. Nga sasia e gjakut, e gjetur në vendin e ngjarjes, arrihet në konkluzionin se viktima ka mbërritur i plagosur dhe aty atij i është hedhur benzina dhe i është vënë flaka. Sipas shefit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë, Gramoz Traga, viktima i përket një moshe nga 20 deri në 22 vjeç. Sipas të njëjtave burime, mësohet se ka qenë i veshur me pantallona të shkurtra dhe bluzë me mëngë të shkurta si dhe shapka në këmbë. Torturat që janë ushtruar mbi të tregojnë se është një hakmarrje, thonë pjesëtarë nga grupi i hetimit. Policia ka nisur të kryejë verifikimin e banorëve të fshatrave të zonës pranë vendit të ngjarjes, ndërkohë që të dhënat e viktimës i ka publikuar edhe në mediat lokale, me qëllim interesimin e ndonjë të afërmi për të. Lushnja shënon kështu ngjarjen e dytë brenda vitit të një ekzekutimi në forma mafioze, që mbetet pa autor. Tre muaj më parë, një biznesmen nga Peqini është ekzekutuar me 8 plumba pistolete në autostradë.

Ky lajm është publikuar: 08/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›