E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarr në fshatin Balëz, digjen sipërfaqe me ullishte

Autori i Lajmit: red.
Temperaturat e larta dhe era kanë ndihmuar që një zjarr i fuqishëm të përfshijë ullishtet në fshatin Balëz dhe Gurabardh, pak km larg qytetit të Elbasanit. Zjarri është shfaqur rreth orës 13.30 dhe është përhapur me shpejtësi në një territor me ullinj dhe shkurre. Zjarrfikësit e mbërritur menjëherë në vatrën e zjarrit, e kanë pasur të pamundur të kontrollojnë flakët për shkak të terrenit të vështirë. Nga flakët janë përfshirë shumë rrënjë ullinj dhe sipërfaqe të tëra me shkurre. Për të fikur zjarrin kanë ndërhyrë edhe vetë banorët e zonës, të cilët me mjete rrethanore u përpoqën së bashku me zjarrfikësit për të mos lejuar djegien e ullinjve. Sipërfaqja e përfshirë është disa hektarë dhe zjarri po përhapet me shpejtësi. Për disa orë situata ka qenë mjaft e vështirë të kontrollohet edhe për shkak të erës dhe të temperaturave mjaft të larta. Në rrezik janë edhe fshatrat Balëz dhe Grabardh, por edhe ullishtet e Elbasanit. Brenda 6 orësh nga nisja e zjarrit, zjarrfikësit kanë arritur së bashku me banorët, pronarë të ullishteve të fikin një e nga një rrënjët e ullinjve.

Ky lajm është publikuar: 08/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›