E Diel, 1 Nëntor 2026

Biberaj: Klasa politike me psikologji komuniste

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike dhe ish-zv/president i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, z. Aleksandër Biberaj, me rastin e 19-vjetorit të rrëzimit të statujës së diktatorit Enver Hoxha në Tiranë dhe në qytete të tjera, përshëndeti 723 studentët dhe pedagogët e grevës së urisë, si dhe popullin e Tiranës e të qyteteve të tjera që rrëzuan statujat e diktatorit Hoxha, diktatorit më çnjerëzor, më të egër e më primitiv që njohu Europa Juglindore e pas Luftës së Dytë Botërore. Në një prononcim për mediat, z. Biberaj thekson se 20 Shkurti i vitit 1991 shënoi momentin kulmor të shpërthimit të urrejtjes popullore të akumuluar prej më se 50 vitesh ndaj regjimit komunist dhe simboleve të tij, moment që natyrisht shënoi rrëzimin e idhujve të rremë, e idhujve fals. “Por siç u pa gjatë këtyre 19 viteve, 20 Shkurti 1991, shënoi vetëm rrëzimin e simboleve të komunizmit, por nuk shënoi shkëputjen nga mentaliteti dhe psikologjia komuniste, e cila mbretëron edhe sot te klasa politike shqiptare”, tha Biberaj. Sipas tij, edhe pse kanë kaluar 19 vjet nga 20 Shkurti i vitit 1991, pasojat e sistemit komunist nuk janë eliminuar ende.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›