E Diel, 1 Nëntor 2026

Plagosen me armë në disko 2 nxënës të klasës së 9

24/12/2008  Konsumuan alkool, një 15-vjeçar nxori armën. Rëndë në spital njëri prej tyre

DURRES- Nxënësit e një shkolle në qytetin e Durrësit janë përfshirë në një konflikt që në pak minuta ka degjeneruar në përdorimin e armëve. Burime policore të Durrësit bëjnë të ditur se 2 prej fëmijëve në konflikt të klasës së nëntë të shkollës “Vasil Ziu” kanë marrë plagë pistolete, kurse njëri prej tyre është futur në reanimacion për shkak të gjendjes shumë kritike për jetën.

Ngjarja

Serxhio Sh. dhe Indrit H. janë dy fëmijët e moshës 15 vjeç që janë dërguar me urgjencë në spitalin e Durrësit për shkak të hemorragjisë që kanë pësuar. Pohime zyrtare të policisë së Durrësit thonë se ngjarja ka ndodhur në disko “Whisper” tek Shkëmbi i Kavajës ku ishin përqendruar nxënësit e klasës së nëntë të kësaj shkolle. Gjatë argëtimit fëmijëve u është dhënë për të pirë jo vetëm pije freskuese, por edhe pije alkoolike, ndërsa rreth një orë pasi ata janë argëtuar në mjediset e brendshme të diskos ka nisur edhe sherri, motivet e të cilin nuk janë bërë të ditura nga policia. Në konflikt mësohet se janë përfshirë disa nxënës të kësaj shkolle, ndërkohë që njëri nga bashkëmoshatarët nuk ka hezituar të nxjerrë edhe armën. Nga të dhënat paraprake të policisë mësohet se autori i krimit quhet Sokol A., edhe ai nxënës i së njëjtës shkollë, por në një tjetër klasë nga dy të plagosurit. 15-vjeçari Sokol A. është kapur një orë pasi ka ndodhur ngjarja dhe agjentët e policisë kanë mundur të fusin në dorë në cilësinë e provës materiale pistoletën që ka shtënë mbi dy fëmijët e tjerë. Gjithashtu në polici mësohet se janë shoqëruar edhe disa fëmijë, të cilët do të duhet të japin shpjegime për këtë ngjarje të rëndë. Në vendin e ngjarjes policia ka bllokuar gëzhojat dhe menjëherë ka mbyllur diskon tek Shkëmbi i Kavajës si dhe ka marrë gjithashtu në pyetje personelin e shërbimit. Ditën e martë shumë nxënës nuk kanë bërë mësim dhe u janë drejtuar lokaleve të argëtimit duke u futur në pub-e e disko. Madje largimi kolektiv në disa raste ka pasur edhe miratimin e mësuesve dhe drejtuesve të shkollës, ndërkohë që nuk dihet nëse nxënësit janë shoqëruar nga mësues kujdestar. Në Durrës ndodh shpesh plagosja e të rinjve kryesisht të atyre të arsimit të mesëm në kohën kur ata gjendjen në ekskursione.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›