Gjendet i shkrumbuar një emigrant në Itali
ITALI- Ishte 30 vjeç, quhej Petrit Keci dhe banonte në Alba Adriatika. Trupi i shkrumbuar në mënyrë të tmerrshme nga flakët e zjarrit ka tashmë një identitet. Emigranti shqiptar, Petrit Keci u gjet i shkrumbuar krejtësisht në një godinë të pabanuar, në zonën e Fonte Pezanës.Karabinierët e rajonit, të cilët morën përsipër hetimin e krimit flasin për një vrasje të pastër, ndërsa janë duke mbledhur informacion për jetën e viktimës, në Shqipëri dhe në Itali. Rrethanat e vrasjes, në fakt të bëjnë të mendosh se bëhet fjalë për larje hesapesh. Kapiteni i karabinierëve në San Benedeto, Xhankarlo Vakarini, pohoi dje se duhen sqaruar shkaqet e vdekjes. Ende nuk është e qartë për policinë italiane, nëse 30-vjeçari shqiptar vdiq nga flakët e zjarrit apo nga ndonjë e shtënë pistolete. Për të sqaruar këto rrethana, hetuesit e çështjes janë duke pritur raportin e autopsisë, i cili mendohet të jetë gati mëngjesin e së hënës. Sipas mediave italiane, Petrit Keci jetonte si klandestin në Itali. Zhdukja e tij ishte denoncuar ditë më parë në polici. Kufoma është identifikuar mëngjesin e djeshëm, edhe pse trupi ishte i zhveshur e pranë nuk ndodhej asnjë dokument. “ Viktima është me siguri Petrit Keci, banues në Alba Adriatika”,-pohuan mëngjesin e djeshëm zyrtarët e policisë italiane. Sipas disa përshkrimeve, policia italiane duket se ka gjetur gjurmë të autorëve, të cilëve u është vënë në ndjekje, ndërkohë që si motiv për krimin, ata kanë bërë me dije trafiqet ilegale në fushën e drogës ose të prostitucionit në Itali.