E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klandestinët, 2500 euro për të prekur Italinë

TIRANË- Rreth 100 klandestinë shqiptarë kanë kaluar ilegalisht nga Shqipëria në Mal të Zi, Slloveni dhe më pas janë dërguar në Itali, gjatë periudhës tetor 2007- janar 2008. Pesë të arrestuarit e pak ditëve më parë përfitonin 1500 deri 2500 euro për secilin prej tyre, për t’i çuar në tokën e “premtuar”. Këto të dhëna të trafikut të klandestinëve janë bërë me dije mesditën e djeshme, gjatë seancës gjyqësore të verifikimit të masave të sigurisë ndaj Ardian Coros, Gëzim Tafajt, Aleksandër Malajt, Agim Myrtes dhe Rexhep Cukut, të cilët dyshohen se kanë kryer veprën penale të “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, në kuadër të “grupit të strukturuar kriminal”. Kjo seancë gjyqësore, përveç akuzave ndaj tyre, zbardhi edhe rolet e të arrestuarve në këtë rrjet të trafikut të klandestinëve, që funksiononte prej kohësh. Gjatë seancës së djeshme, prokurori i çështjes, Sokol Malaj, me kërkesë të gjyqtarit të masave Luan Hasneziri lexoi provat që ka në dorë prokuroria, për të justifikuar masën e arrestit me burg për të pandehurit.
***
“Vendimet e dhëna në mungesë, me datë 23 janar janë për personat që janë arrestuar. Nuk jemi në kohën që të rishikohet ky vendim, pasi edhe mbrojtësit ligjorë nuk kanë sjellë ndonjë provë materiale që hedh poshtë dyshimet e ngritura nga ana jonë për pesë të akuzuarit e mësipërm”,-ka thënë gjatë seancës së djeshme prokurori Malaj. Ndërkohë, avokatët mbrojtës dhe vetë të arrestuarit kanë kërkuar prova konkrete për klientët e tyre, duke e quajtur të padrejtë vendimin e gjykatës për caktimin e masave të sigurisë. Nga ana tjetër, të arrestuarit kanë shprehur revoltën e tyre për mënyrën e arrestimit nga forcat e policisë, duke i krahasuar veprimet e tyre si në kohën e monizmit. “Më arrestuan sikur të isha krimineli më i keq në Shqipëri. Në mes të rrugës më vendosen prangat dhe një kapuç në kokë dhe nuk e di as vetë ku më kanë dërguar. Më pas e kam parë veten në drejtori të policisë. Nuk më kanë dhënë asnjë shkresë apo vendim që të më thonë se për këtë çështje të kemi arrestuar”,-tha dje i arrestuari Gëzim Tafaj, duke i kërkuar gjykatës ta lirojë nga qelia. Edhe përkundër pretendimeve të mbrojtësve dhe vetë të arrestuarve, gjykata vendosi të lërë në fuqi vendimin e marrë në mungesë, vetëm pak ditë më parë.
***
Sipas prokurorisë, hetimet ndaj këtij grupi kanë filluar në datën 6 nëntor të vitit të kaluar, nën akuzën e “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Si prova materiale, në shumicën e rasteve janë përgjimet telefonike dhe pesë rastet e evidentuara të trafikut të tyre, ku kanë kaluar nga 5 deri në 10 persona njëherësh. Ndërsa prova më e fortë ndaj tyre është rasti i fundit i tentativës për të kaluar në Itali 33 persona, me anë të një gomoneje. “Dyshohet se organizatorët e këtij trafiku janë Ardian Corro dhe Gëzim Tafaj, ndërsa i arrestuari Aleksandër Malaj është blerësi i gomones në Mal të Zi dhe personi që kalonte në këmbë apo me makina klandestinët deri në shtetin fqinjë. Shtetasi Agim Myrtja (Sufaj) kryente punën e sekserit dhe garantit të lekëve të personave të ndryshëm që niseshin me këtë linjë. Ndërsa Rexhep Cuku, shofer taksie, disa herë kishte dërguar njerëz deri në afërsi të kufirit për llogari të këtij rrjeti, kundrejt pagesave të punës që bënte”-thuhet nga burimet e akuzës. Sipas këtyre burimeve, ky rrjet niste klandestinë shqiptarë nga qytete të ndryshme të vendit, në rrugë tokësore, duke shfrytëzuar territoret e Shqipërisë, Malit të Zi, Kroacisë, Sllovenisë, për të përfunduar në Udineze të Italisë.
TENTATIVA
Trafiku me gomone zbuloi grupin e organizuar
TIRANË- Nga hetimet disamujore janë grumbulluar prova materiale dhe përgjime telefonike për pesë raste të kalimit të paligjshëm të kufirit nga ky rrjet, konkretisht në datat 18.10.2007, 06.11.2007, 06.12.2007, 10.01.2008 dhe 19.01.2008. Burime nga prokuroria bëjnë me dije se rastet e mësipërme të trafikut të klandestinëve janë të dokumentuara. Ndërsa vetëm pak ditë më parë, policia e Laçit parandaloi trafikimin me gomone për në Itali të 33 klandestinëve, ku u arrestuan edhe bashkëpunëtorët e të arrestuarve të fundit. Arrestimi i tyre u bë i mundur gjatë operacioni të policisë të koduar me emrin “Rrjeta e hekurt”, ku u prangosen tetë persona: Ndue Nicaj, Gramoz Tafaj, Ardian Marku (Gjeloshi), Altin Gjeloshi, Ndrek Preçi, Paulin Marku, Pjetër Tusha dhe Bisho Hotaj, të cilët do të bashkohen në një proces hetimor. Dy grupet punonin së bashku, duke shfrytëzuar nevojën e qytetarëve për të gjetur një punë në Itali, qoftë edhe duke paguar mjaft para. F.V

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›