E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet i vdekur 40-vjeçari, dyshohet konflikti për pronat

VLORë/ Policia ka shoqëruar gjashtë persona që kishin probleme me viktimën, por nuk ka arritur ende të identifikojë vrasësin

Trupi i pajetë i një burri 40 vjeç është gjetur mëngjesin e së enjtes në një përrua në fshatin Sevaster të komunës me të njëjtin emër në Rrethin e Vlorës.

Kalimtarë të rastit kanë parë buzë një përroi një trup dhe pasi janë afruar, kanë konstatuar se personi kishte vdekur. Pasi janë afruar, bashkëfshatarët kanë identifikuar viktimën, i cili është 40-vjeçari Hysen Demaj. Ai kishte në trup një plagë arme zjarri, që mendohet se është shkaktuar nga një armë gjahu.

Trupi i pajetë është dërguar më pas në morgun e spitalit të Vlorës, ku i është nënshtruar autopsisë.
Ndërkohë, policia ka rrethuar vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave. Burime nga grupi hetimor thanë se bëhet fjalë për një vrasje, por është ende herët për të vënë gishtin mbi autorin. Ajo që u konstatua pas hetimeve të para është fakti që qitja me armë është bërë nga një distancë e afërt me një armë gjahu automatike.

Gjithashtu blutë dyshojnë se ngjarja ka qenë pasojë e një konflikti pronësie të familjes së Hysen Demaj, me disa bashkëfshatarë, fakt ky që duhet të verifikohet ende.

Në polici janë shoqëruar gjashtë persona, të cilët po pyeten për ngjarjen, por deri dje në mbrëmje vonë nuk ka pasur asnjë të ndaluar si i dyshuar për vrasjen.

Policia dhe Prokuroria e Vlorës vijojnë intensivisht hetimet, nga ku pritet të zbardhen qartë motivet dhe rrethanat e vrasjes, ende të vagullta për ekspertët e krimeve.

Pista kryesore e hetimit mbetet konflikti i pronësisë, fakt ky që po shkon drejt verifikimit nga oficerët e policisë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›