E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet i vdekur në lulishte 25-vjeçari i droguar

12/09/2009  Në krah i dalloheshin shenjat e shiringës

DURRES- Është gjetur i vdekur në orët e para të mëngjesit të së premtes në një nga lulishtet e qytetit të Durrësit shtetasi F. Katrelli. 25-vjeçari i lindur në lagjen numër 9 të qytetit të Durrësit mendohet se ka vdekur në orët e mesnatës së një nate më parë si pasojë e mbidozës nga droga. Katrelli rezulton në listat e konsumatorëve të drogës në polici, ndërkohë që ai është gjetur i vdekur në lulishten e lagjes. Rreth orës 7.45 të së premtes një kalimtar ka parë në lulishte trupin e pajetë të të riut dhe ka venë në dijeni policinë. Viktima është dërguar në morgun e spitalit të Durrësit dhe pas autopsisë së realizuar nga ekipi mjekësor mësohet se vdekja ka ardhur si pasojë e konsumimit të drogës. Ekspertët kanë deklaruar në procesverbalin e dosjes së hetimit se 25-vjeçari F. Katrelli nuk kishte asnjë shenjë dhunë në trup, kurse në pjesën e parakrahut dallohej lehtësisht damari i nxirë si pasojë e shiringës me drogë. Fare pranë trupit të viktimës në lulishte është gjetur edhe shiringa, e cila është marrë si provë materiale. Policia ka deklaruar se i riu njihej prej disa vitesh si përdorues droge. Ai është mbajtur për afro 3 orë në morg dhe vetëm në mesditë trupi i tij i është dhënë familjarëve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›