Gjendet i vdekur në rrugë i sëmuri me zemër
Një 58-vjeçar është gjetur pa jetë dje në mesditë në qytetin e Elbasanit. Sipas burimeve policore, rreth orës 13:30, në Pallatin e Sportit "Tomor Sinani", në lagjen "28 Nëntori" , pranë dyqanit të byrekëve "Filipi", është gjendur i vdekur 58-vjeçari Agron Koza, lindur në Librazhd e banues në lagjen "Syrja Dylgjeri" të Elbasanit. Nga ana e policisë, në vendngjarje u dërgua grupi hetimor që kreu veprimet e para hetimore. Nga këqyrja e kufomës dhe deklarimet e familjarëve të tij, u konstatua se Koza vuante dhe kurohej prej 15 vjetësh nga sëmundja e zemrës dhe sipas mjekut ligjor Liman Mënalla, mendohet se vdekja e tij ka ardhur si pasojë e atakut kardiak. Policia ka bllokuar në cilësinë e provës materiale disa medikamente, me të cilat ai mjekohej, ndërkohë që po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të vdekjes. Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme.
Be.Dy.
Be.Dy.