E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkon të vjedhë, i zoti i shtëpisë i djeg motorin

Denoncimi i ndërsjellë, nën hetim hajduti dhe i dëmtuari. Pasi i ka vjedhur materialet e ndërtimit në banesë, jo vetëm që e ka denoncuar në polici, por edhe ka dashur të hakmerret ndaj hajdutit, duke i djegur motorin. Ndërsa ka arrestuar në flagrancë shtetasin Emiliano Koçia, 18 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Fushë-Krujë, policia ka nisur procedimin penal edhe për Luan Talin, 44 vjeç nga Fushë-Kruja. Arrestimi i 18-vjeçarit u bë pasi ka tentuar të vjedhë materiale ndërtimi, kryesisht hekur në banesën e shtetasit Luan Tali në lagjen "Magaze" të qytetit të Fushë-Krujës. Pronari i shtëpisë, Tali e ka parë dhe ka ndërhyrë menjëherë. Nga deklarimi i të arrestuarit Emiliano Koçia, 44- vjeçari Luan Tali i ka djegur motorin e tij tip "Piaggio" në kohën kur ky ka hyrë për të vjedhur në shtëpinë e tij. Kështu të dy do të përballen për vepra të ndryshme penale me organet e hetimit dhe drejtësisë në Krujë. I pari për vjedhje në tentativë ndërsa i dyti për shkatërrim të pronës me zjarr.

Va.Qy.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›