Vdes nga pija dhe i ftohti 67-vjeçari
Vdes nga alkooli dhe i ftohti një i moshuar në qytetin e Pogradecit. Burimet e policisë lokale bënë të ditur se dje në mesditë, në Unazën e këtij qyteti është gjetur i vdekur një i moshuar. Ekspertët mjekoligjorë arritën në konkluzionin se viktima kishte qëndruar jashtë gjatë gjithë natës, ndërkohë që ka përdorur edhe pije alkoolike. Mësohet se viktima është 67-vjeçari A.S., banor i fshatit Vërcun të Pogradecit. Ai është gjetur i pajetë në lagjen nr.4 të qytetit nga kalimtarë të rastit, që kanë njoftuar policinë. Burime të policisë lokale thanë se ky rast i vdekjes së 67-vjeçarit ka ardhur nga pushimi i zemrës dhe në trupin e viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune. I moshuari jetonte në kushte të vështira ekonomike. Ai ishte larguar nga banesa dhe gjatë natës ka qëndruar në rrugët e qytetit. Sipas policisë, temperaturat e ulëta gjatë natës mund të kenë qenë shkak i vdekjes.
Ju.Dh.
Ju.Dh.