E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rinas, tre persona bien në pranga



Tiranë - Tre persona bien në prangat e policisë në Rinas. Policia Kriminale në Aeroportin e Rinasit ka ndaluar shtetasin turk Murat Aksoz, 35 vjeç, pasi është zënë transit me rreth 40 mijë dollarë të padeklaruara në doganë. Kapja e tij është bërë sot në flagrancë nga Policia Kriminale. Po në Rinas forcat e policisë kanë arrestuar 26-vjeçarin Lorenc Arapi nga Tepelena, teksa po kthehej nga Suedia i depërtuar. Policia Kriminale konstatoi se 26-vjeçari dispononte leje qëndrimi false për në Greqi. Ndërkohë që Interpol Tirana ekstradoi nga Bergen, Norvegji, shtetasin Shpend Murati, 29 vjeç, nga Kukësi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për “vjedhje me armë në bashkëpunim”. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit thanë dje për ATSH-në, se 29-vjeçari Murati është dënuar në vitin 1998 nga Gjykata e Kukësit me 12 vjet burgim, për veprën penale të “vjedhjes me armë të kryer në bashkëpunim”. Ndërkohë, në vitin 2006 ndaj këtij shtetasi është dhënë një tjetër vendim nga Gjykata e Tiranës, e cila e ka deklaruar fajtor për veprën penale, të “falsifikimit të akteve të gjendjes civile” duke e dënuar me 1 vit heqje lirie dhe 400 000 lekë gjobë. Në aplikim të nenit 56 të Kodit Penal “për bashkimin e dënimeve”, i pandehuri Shpend Murati është dënuar përfundimisht me 13 vjet heqje lirie dhe 400 000 lekë gjobë. Kapja dhe më pas ekstradimi i të sipërcituarit u mundësua falë bashkëpunimit të Interpol Tiranës me homologen e saj në Norvegji. Në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, shtetasi Shpend Murati iu dorëzua përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

7 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›