Zhdukja e 6-vjeçares, policia heton pistën e rrëmbimit
KUKËS - Misteri ka mbuluar zhdukjen e 6-vjeçares nga fshati Zapod i Kukësit. Policia lokale përfundimisht ka bërë të ditur se është duke hetuar vetëm në pistën e rrëmbimit të së miturës dhe në komisariat janë shoqëruar tetë persona, mes të cilëve dhe të afërm të 6-vjeçares. Zëvendësdrejtori i Policisë së Kukësit ka bërë të ditur se një vajzë 6 vjeçe është parë në Kosovë, por ende nuk dihet nëse është Bleona Mata. Sipas tij, vajza e vogël është gjetur në komunën e Dragashit, Kosovë, por pas verifikimeve është bërë e ditur se nuk ishte e mitura e zhdukur gjashtë ditë më parë. Zv.drejtori i Policisë së Kukësit, Xhaferr Elezi, tha se një grup policie nga Kukësi është nisur për në Kosovë, ku do të bëhen kërkime. Kërkime të shumta po bëhen dhe në zonën e Dragashit, Kosovë, që është dhe komuna më e afërt kufitare me Shqipërinë. Gjatë një komunikimi me median Elezi tha se deri tani për hetime janë shoqëruar tetë persona në polici, të cilët janë duke u marrë në pyetje. Ndërkaq, në orën 12:00 të ditës së djeshme policia ka ndërprerë kërkimet në terren. Në këtë orë është shoqëruar dhe halla e vajzës së mitur dhe dy shoqe të saj, me qëllim marrjen në pyetje për të zbardhur ndonjë detaj. Policia është përqendruar në pistën e rrëmbimit. Babai i 6-vjeçares ka bërë apel për kthimin e vajzës duke deklaruar se do të jepte gjithçka vetëm që vajza e tij e dashur të kthehet në banesë. Ai ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë ngjarje tjetër të këtij llojit.
6-vjeçarja Bleona Mataj u zhduk gjashtë ditë më parë në komunën Zapod të Kukësit. Banorët e zonës u vunë në ndihmë të policisë që ka kërkuar deri në mesditë vajzën. Efektivët e Policisë së Kukësit kanë bërë kontrollin e malit dhe të vijës kufitare për të gjetur ndonjë gjurmë të vajzës. Familjaret e së humburës bëjnë apel ndaj të gjithë personave që mund të kenë lidhje me rrëmbimin e saj për kthimin në shtëpi të vajzës së tyre. Mbi 400 forca policore, së bashku me komunitetin, janë mobilizuar në kërkimin për gjetjen e 6-vjeçares në malet e komunës Zapod.
27 Maj 2010