E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata Kushtetuese rrëzon ndryshimet e ligjit për pronat



Laureta Rryçi

Gjykata Kushtetuese shpalli dje si antikushtetues një tjetër ligj të qeverisë, atë për “Kthimin dhe kompensimin e pronave”. Gjykata pranoi kërkesën e Avokatit të Popullit për shpalljen si të papajtueshme me Kushtetutën të disa neneve në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”, me argumentimin se funksionet dhe përgjegjësitë e drejtorit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe rishikimi i vendimeve të ish- komisioneve të kthimit dhe kompensimit të pronave janë antikushtetuese. Në argumentimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese thuhet se këto nene cenojnë sigurinë juridike dhe një nga të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, atë që ka të bëjë me të drejtën për t’iu drejtuar gjykatës. Ndërkaq, përfaqësuesit e qeverisë pretendonin se ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave vinte në përputhje me nenin 17 të Kushtetutës, atë që i jep të drejtën ligjvënësit të ndërhyjë në liritë dhe të drejtat e njeriut për interesa të larta publike. Sipas qeverisë, ndërhyrja në të drejtën e pronës vjen në proporcion me shkaqet që e kanë shkaktuar atë.
Argumentet e Kushtetueses
“Për t’u shprehur në lidhje me kushtetutshmërinë e neneve 16 dhe nenit 18 të Ligjit Nr.9235, datë 29.07.2004 ‘Për kthimin dhe kompensimin e pronës’, i ndryshuar, Gjykata e sheh me vend të konsiderojë nëse kompetenca e drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së për të shqyrtuar ankimet mbi vendimet e dhëna nga ish-KKKP-ja dhe zyrat rajonale aktuale të agjencisë, si edhe për të shqyrtuar kryesisht këto vendime, është në përputhje me Kushtetutën. Për t’i dhënë përgjigje kësaj çështjeje, Gjykata e çmon të arsyeshme të evidentoje dallimin ndërmjet të drejtave subjektive dhe interesave të ligjshme të shtetasve, të cituara në nenin 32 të Kodit të Procedurës Civile. Kjo analizë bëhet akoma më e domosdoshme po të mbajmë parasysh se gjithë procesi i rregulluar nga nenet objekt kontrolli, i përket revokimit ose shfuqizimit të akteve administrative sipas nenit 121 të Kodit të Procedurave Administrative. Sipas të drejtës administrative shqiptare, për të pasur një akt administrativ që të shprehë vullnetin e organit administrativ nevojitet një interes i ligjshëm publik. Kërkesa e një personi para organeve të kthimit dhe kompensimit të pronave synon njohjen e të drejtës së pronës mbi një send të caktuar. Kjo e drejtë e pretenduar nga subjekti para një organi shtetëror është një e drejtë subjektive dhe jo një interes i ligjshëm i tij, në kuptim të nenit 32 të Kodit të Procedurës Civile. Kjo do të thotë, nga ana tjetër, se vendimet e KKKP dispononin drejtpërsëdrejti mbi të drejta subjektive, të cilat janë ekskluzive të titullarëve të caktuar dhe jo të shtetasve apo publikut në tërësi, siç janë interesat publikë. Ky fakt mund të konstatohet nga Gjykata pasi e drejta e një personi për t’u njohur si pronar i një sendi rregullohet nga Kodi Civil; si rrjedhim, Gjykata çmon se jemi jashtë fushës së veprimit të së drejtës publike, e cila rregullon veprimet e organeve shtetërore në mbrojtje të interesave publikë. Për sa më sipër, vendimet e organeve administrative që kanë pasur si kompetencë kthimin dhe kompensimin e pronave, në vite, nuk mund të konsiderohen akte administrative, në kuptimin normal juridik të termit (strictu sensu), por akte sui generis të nxjerra nga një organ sui generis, për të cilin Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka përdorur termin e ri leksikor, quasi gjykatë. Në mbështetje të konstatimit të mësipërm Gjykata ka vlerësuar faktet e mëposhtme: Gjykata çmon, mbështetur edhe në eksperiencën e vendeve të tjera, se në rastet kur kemi të bëjmë me të drejta subjektive, edhe pse enti shtetëror ka shprehur vullnetin e vet nëpërmjet akteve, këto të fundit nuk trajtohen dhe nuk goditen në gjykatë si akte administrative, por përkundrazi, shtetasi në gjykatë, në një gjykim të zakonshëm, kërkon të drejtën e pronës duke paraqitur prova në mbështetje të kësaj të drejte. Situata paraqitet ndryshe kur një subjekt pretendon se një akt shpronësimi i cenon të drejtat e veta pasurore ose reale. Duke qenë se në këtë rast jemi para një interesi publik, subjekti kërkon mbrojtjen e interesit të vet të ligjshëm dhe për këtë qëllim kundërshton aktin publik, i cili ka karakteristikat e aktit administrativ. Për pasojë, Gjykata konstaton se, shqyrtimi i të drejtës së pronësisë mbi një send mund të bëhet vetëm nga gjykata e zakonshme në përputhje me Kodin Civil. Nisur nga arsyetimet e mësipërme, Gjykata çmon të nevojshme të marrë në shqyrtim se përse kërkesa për njohjen e të drejtës se pronës mbi sendet e paluajtshme bëhej pranë KKKP dhe jo në gjykatë. Dy ishin arsyet kryesore për këtë mënyrë zgjidhjeje: së pari, organet që duhet të merreshin me kërkesat për kthimin e pronës duhet të ishin të shpërndara në territor dhe të kishin kontrollin kapilar të këtij të fundit dhe, së dyti, ato duhej të ishin organe që kishin njohuri specifike për fushën duke garantuar një proces sa më të shpejtë dhe të zhdërvjellët (lexo duke shkarkuar barrën e vlerësimit të kërkesave nga gjykatat)”.

Nenet që janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese

Neni 15, pika 1, germat c, ç, d, dh

1. Për zbatimin e këtij ligji ngarkohet Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, person juridik publik, në vijim AKKP, me qendër në Tiranë. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kryen këto detyra dhe përmbush këto përgjegjësi:

c) Përfundon shqyrtimin e ankimeve që gjenden të depozituara në AKKP, nga Zyra e Avokaturës së Shtetit, për vendimet e njohjes së të drejtës së pronësisë, kthimit ose kompensimit të pronës, si dhe të të drejtave të tjera reale të ish-zyrave rajonale të AKKP-së në qarqe, të ish-komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe të ish-komisioneve të rretheve a bashkive për kthimin ose kompensimin e pronave ish-pronarëve.
Pas shqyrtimit e vlerësimit të ankimit, drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, brenda 3 muajve nga nisja e procedimit të ankesës, vendos:
- rrëzimin e ankesës;
- shfuqizimin e vendimit dhe zgjidhjen në themel të çështjes.
ç) Përfundon shqyrtimin e verifikimit të vlefshmërisë ligjore të rasteve, për të cilat Drejtori i Përgjithshëm, me nismën e vet ose kryesisht, ka urdhëruar shqyrtimin e tyre. Pas vlerësimit e shqyrtimit, me nismën e vet ose kryesisht, të rastit të urdhëruar, Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, brenda 3 muajve nga nisja e procedimit të ankesës, vendos:
- lënien në fuqi të vendimit;
- shfuqizimin e vendimit dhe zgjidhjen në themel të çështjes.
d) Mund të shqyrtojë, me nismën e vet, vendimet e dhëna nga zyrat rajonale të AKKP-së në qarqe apo të ish-komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe të ish-komisioneve të rretheve a bashkive për kthimin ose kompensimin e pronave ish-pronarëve.
dh) Vlerëson rekomandimet e autoriteteve të ngarkuara për monitorimin e zbatimit të ligjit.
Pas vlerësimit, sipas shkronjave “d” dhe “dh”, Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së vendos:
i) mosfillimin të procedimit të verifikimit të ligjshmërisë;
ii) fillimin e verifikimit të ligjshmërisë së vendimeve të zyrave rajonale të AKKP-së në qarqe apo të vendimeve të ish-komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe të ish-komisioneve në rrethe a bashki për kthimin ose kompensimin e pronave ish-pronarëve, duke vendosur:
- lënien në fuqi të vendimit;
- shfuqizimin e vendimit dhe zgjidhjen në themel të çështjes.

Neni 16
Shqyrtimi i vendimit kryesisht

1. AKKP-ja përfundon shqyrtimin e ankimeve kundër vendimit të njohjes së të drejtës së pronësisë, të kthimit ose kompensimit të pronës, si dhe të të drejtave të tjera reale të ish-zyrave rajonale të AKKP-së në qarqe, të ish-komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe të ish-komisioneve të rretheve a bashkive për kthimin ose kompensimin e pronave ish-pronarëve.
2. AKKP-ja mund të shqyrtojë, me nismën e vet, vendimet e dhëna nga zyrat rajonale të AKKP-së në qarqe apo të ish-komisioneve vendore të rretheve a bashkive për kthimin ose kompensimin e pronave ish pronarëve, të cilat, për shkak të shkeljeve flagrante të ligjit të kohës, i bëjnë këto vendime absolutisht të pavlefshme.

27 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›