E Diel, 1 Nëntor 2026

Skema e sigurimeve në prag falimentimi, çdo pensionist paguhet vetëm 20 vjet

Qeveria parashikon që të ndryshojë ligjin duke reduktuar pagesën e pensionit në 20 vjet

Ervin KOÇI

Skema e sigurimeve në vendin tonë është në prag të falimentimit duke rrezikuar seriozisht ndarjen e pensioneve dhe pagesave të ndryshme si, përkrahje sociale, pagesa invaliditeti, etj. Një lajm të tillë gazeta “Albania” e ka mësuar krejt rastësisht nga burime konfidenciale në Ministrinë e Financave të cilat janë angazhuar në rishikimin e ligjit të sigurimeve. Sipas burimeve, “skema e sigurimeve për pensionet është në prag falimentimi pasi gropa e hapur në buxhet prej vitesh nuk po mund të rikuperohet dhe çdo vit ajo i merr buxhetit miliarda lekë”. Burimet kanë thënë më tej se, “kjo skemë (e sigurimeve) nuk po arin të mbulojë veten si pasojë e numrit të ulët të kontribuuesve dhe e numrit të madh të përfituesve (pensionistëve)”. Sipas të dhënave të marra nga ISSH-ja, aktualisht numri i kontribuuesve, domethënë i atyre që paguajnë kontribute për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore është rreth 400 mijë individë, në një kohë që numri i atyre që trajtohen me pagesa pensionesh të ndryshme dhe të tjera pagesa, është rreth 563 mijë individë. Pra rreth 163 mijë individë më tepër që përfitojnë. Ndërkohë ky raport para viteve ’90 ishte shumë më ndryshe, ose 4 kontribuues për 1 përfitues. Aktualisht sipas shifrave të MF-së, vetëm për vitin 2010 nga buxheti i shtetit për pagesat e pensioneve janë marrë rreth 54 miliardë lekë, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një gropë të parikuperueshme. Nga ana tjetër qeveria ka premtuar edhe rritje të pensioneve dhe pagave për muajin korrik 2010, por që ende nuk dihet se ku do t’i sigurojë paratë.

Projekti i reduktimit
Projekti mbi të cilin po punojnë ekspertët e MF-së synon që të reduktojë në 20 vjet pagesën e pensioneve për çdo pensionist në Republikën e Shqipërisë. Pra e thënë ndryshe një individ që ka paguar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore në momentin që mbush moshën për të dalë në pension (60 vjeç për gratë dhe 65 vjeç për burrat), mund të përfitojë pagesën e pensionit vetëm për 20 vjet. Pra një individ që del në pension në moshën 65 vjeç, sipas projektit të Financave duhet të trajtohet me pagesën e pensionit deri në moshën 85 vjeçare, pavarësisht se ai mund të jetojë edhe 100 apo 120 vjeç. Burime nga MF-ja thanë për gazetën, se “ky projekt është propozuar dhe financuar nga Banka Botërore e cila pasi ka përgatitur një studim mbi skemën e sigurimeve në Shqipëri ka konstatuar se ajo është në prag falimentimi, pasi nuk po arin të sigurojë më tepër të ardhura nga sa jep”. Sipas të njëjtave burime, është pikërisht BB-ja që ka propozuar këtë lloj metode, për të mos e falimentuar totalisht skemën që çdo vit i kushton qeverisë miliarda lekë. Kjo e fundit nga ana tjetër me gjithë premtimet për reduktimin e punës informate dhe shtimin e kontribuuesve, është gjendur përball një realitet krejt të kundërt. Numri i kontribuuesve çdo vit po reduktohet, në një kohë që një pjesë të klientëve të skemës shtetërore po e marrin dhe skemat e sigurimeve private. Për këto të fundit, burime nga MF-ja, hamendësojnë se janë pikërisht kompanitë private të sigurimeve që po lobojnë fuqishëm për ta ndryshuar skemën e sigurimeve në vend.

Mungesa e të ardhurave
Të ardhurat e sigurimeve shoqërore qenë 2 miliardë lekë (rreth 15 milionë euro) më të ulëta se plani, ndërkohë që shpenzimet qenë 2.3 miliardë lekë më të ulëta se plani. Sipas bilancit, qeveria arkëtoi 18 miliardë lekë kontribute për pension, apo për kujdes shëndetësor nga të punësuarit, me rritje vetëm 0.45 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Në të njëjtën periudhë, shpenzimet u rritën me 19.2 për qind dhe arritën në 34.2 miliardë lekë. Të ardhurat e fondeve publike të sigurimeve shoqërore e shëndetësore mjaftuan këtë vit për të mbuluar vetëm 53 për qind të shpenzimeve, nga 62 për qind që mbulonin një vit më parë. Buxheti i shtetit ka planifikuar një deficit prej 48.5 miliardë lekësh (rreth 355 milionë euro) te fondet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Deficiti i sigurimeve është shtuar vazhdimisht nga viti në vit gjatë të gjithë dekadës së fundit, për shkak se numri i të punësuarve ka qëndruar pothuajse i pandryshuar, ndërsa numri i pensionistëve, si dhe masa e pensioneve, janë rritur vazhdimisht. Në vitin 2005, të ardhurat mbulonin 66.5 për qind të shpenzimeve për sigurime shoqërore e shëndetësore. Shkaqet kryesore të rritjes së shpenzimeve për fondet e sigurimeve shoqërore të qeverisë gjatë këtij viti qenë, rritja e pensioneve vitin e kaluar dhe rritja e kostos së ilaçeve të subvencionuara. Këto të fundit u rritën me rreth 10 për qind, si pasojë e zhvlerësimit të lekut kundrejt euros. Pensionet u rritën nga qeveria me 10 për qind në maj 2009, si masë parapërgatitore për zgjedhjet e qershorit.

27 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›