E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thellimi i borxhit, qeveria asnjë plan për rikuperim



Kontributet që shqiptarët derdhin sot në të dy skemat, janë borxhe që teorikisht do t’u kthehen pas shumë vitesh. Parashikimet për vitet e ardhshme flasin për thellim të deficitit, për shkak se numri i njerëzve që plotësojnë kushtet për të marrë pension vijon të rritet, ndërkohë që numri i të punësuarve kontribuues mbetet i pandryshuar në afërsisht 400 mijë vetë. Sot në Shqipëri ka 530 mijë pensionistë. Problemi është se kontributet e të punësuarve të sotëm nuk klasifikohen si borxh publik, siç klasifikohen në shumë vende të botës. Skema e sigurimeve shoqërore e shëndetësore në Shqipëri falimentoi për herë të fundit në vitin 1994, kur qeveria shpalli se nuk do të paguante më pensione në raport me kontributet, por përcaktoi një pagesë minimale për të gjithë pensionistët. Sistemet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Shqipëri janë trashëguar nga koha e komunizmit dhe cilësohen si, “skema të pafinancuara” për shkak se kontributet e të punësuarve përdoren për të shlyer shpenzimet e pensionistëve. Skema të tilla krijojnë borxhe të padukshme, pagesa e të cilave transferohet në të ardhmen, gjë që sjell deformime në ekonomi dhe rrezik për kriza ekonomike.

Shkurt//////////////////////////////////
Miratohet dhënia me koncesion e 7 hidrocentraleve

Edhe shtatë hidrocentrale të tjerë lokal do të ndërtohen në vend. Në mbledhjen e djeshme qeveria miratoi dhënien me koncesion të ndërtimit të hidrocentraleve, sipas propozimeve të bëra nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Hidrocentralet që do të jepen për t’u ndërtuar me koncesion janë: hidrocentrali “Flet 1”, hidrocentrali “Flet 2”, hidrocentrali “Kaskada e hidrocentraleve në lumin Seta", Hidrocentrali “Llëngë”, hidrocentrali “TRUEN”, hidrocentrali “Opar 1” dhe hidrocentralet e Strelcës. Vendimi i Këshillit të Ministrave është marrë në bazë të të dhënave të plan-biznesit, të paraqitura nga shoqëritë e përzgjedhura, bëhet fjalë për projekte rentabël. Ekspertët i kanë kushtuar rëndësi dhe ndikimit në mjedis që do të kenë këto hidrocentrale. Sipas ekspertëve këto do të kenë një ndikim minimal. “Këto vendime merren, gjithashtu, në kuadër të përpjekjeve të qeverisë për ta realizuar objektivin e saj për ta kthyer Shqipërinë në një superfuqi energjetike në rajon”,- thuhet në njoftimin e qeverisë për dhënien e koncesioneve.

Protesta e punëtorëve paralizon Portin e Durrësit

Paralizohet puna në sektorin e ngarkim-shkarkimit në Portin Detar të Durrësit. Shkak është bërë protesta e mbi 120 punonjësve të këtij sektori, që mëngjesin e djeshëm kanë ndërprerë pa afat punën në portin më të madh të vendit. Sipas tyre, kompania që i ka punësuar ka shkelur pikat e kontratës, duke ulur pagat dhe rritur normën e punës. Protesta ka shkaktuar kaos në sektorin e ngarkim-shkarkimit, ku tre anije tregtare të ankoruara në ambientet e brendshme të portit, si dhe dhjetëra të tjera në radën e jashtme, prisnin për të shkarkuar mallin. Burime zyrtare bëjnë të ditur se një vit më parë, edhe autoriteti portual ka hedhur në gjyq kompaninë për mos pagesën e detyrimeve.

27 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›