E Diel, 1 Nëntor 2026

Hajduti profesionist 12 vjeç, "feston" grabitjen e gjashtë

01/04/2005  TIRANË- Sokol Stojani, 12-vjeçari korçar që po "lodh" prej muajsh agjentët e kriminalistikës, ku i numërohen të paktën 6 grabitje, sërish kryen vjedhjen e një lokali në Tiranë. Fenomeni "i mitur", deri tani është arma mbrojtëse e vogëlushit pa prindër, i cili tashmë është kthyer në një ferr i vërtetë për inspektorët e agjentët e kriminalistikës në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, të cilët, tashmë i kanë kopsitur rreth gjashtë grabitje, që mbajnë autorësinë e tij dhe disa të tjera janë kryer me anën e një bashkëpunëtori të mitur nga Vlora. Herën e fundit, Stojani ka grabitur qetësisht në orët e natës të dy ditëve më parë, një lokal në rrugën "Myslym Shyri". Nga burime të kriminalistikës, mësohet se tashmë "stili" i tij i vjedhjes është ngulitur mirë në mendjen e tij, pasi ai arrin që mjeshtërisht, pa dhunë, pa thyerje të grabisë të gjitha materialet e çmuara që mund të ndodhen në objektet ku ai synon. Në listën e gjatë të vogëlushit që banon sa herë në Tiranë, më pas në Korçë, e më në fund në Elbasan, pasi nuk ka asnjë nga prindërit, përmenden grabitje spektakolare të parukerisë "Beauty", të disa dyqaneve ushqimore, etj. Ndërkaq, paradoksi i arrest-lirimit të tij përsëritet një herë në dy a tri ditë, pasi agjentët fillimisht i vënë prangat, mirëpo mosha e tij minorene e favorizon të lirohet menjëherë dhe përgjegjësia t’i kalojë prindërve, të cilët në këtë rast mungojnë. Kështu që deri në krijimin e gjykatës së të miturve, ai do të vazhdojë profesionin, të cilit ia ka marrë dorën më së miri. Hajduti profesionist, sipas burimeve policore bashkëpunon me një rrjet të madh hajdutësh, të cilët e udhëheqin e në fund i marrin të gjitha materialet e vjedhura, mirëpo ende nuk është arritur të mësohet ndonjë emër konktret, edhe për shkak të lëvizjeve të çrregullta të vogëlushit, i cili, gjithsesi nuk u ka shpëtuar disa survejimeve të agjentëve të kriminalistikës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›