E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polemikat mes Xhanit e Dukës, ja çfarë u tha dje në mbledhje

• Presidenti i Partizanit, Albert Xhani vazhdon të jetë kundër rrymës, megjithëse edhe ai dje ka firmosur kërkesën e përbashkët në adresë të MTKRS-së, ku kërkohej që të plotësoheshin kërkesat e FIFA-s.

Gjatë mbledhjes së djeshme ai ka pasur një replikë të fortë me presidentin e FSHF-së, Armand Duka. Burime pranë kreut të klubit të kuq kanë bërë të ditur se ai ka fajësuar në mënyrë direkte Dukën për situatën aktuale duke i thënë atij se po sulmohet nga politika, pasi vetë ai është ulur në postin e presidentit të FSHF-së nga politika. "Po sulmohesh nga politika sepse t'i vetë ke ardhur në krye të FSHF-së nga politika dhe do të vazhdosh të sulmohesh. Ne kërkojmë që kjo situatë të zgjidhet sa më shpejt, por mos pretendoni që ne të marrim nga një pankartë në dorë dhe të protestojmë para ministrisë, sepse nuk jemi ne burimi i konfliktit, por ju", mësohet t'i ketë thënë Xhani. Ai ka thënë se nuk dëshiron të bëhet palë me asnjë, por është pro zgjidhjes së menjëhershme të konfliktit. Gjatë këtyre minutave ai ka hasur në reagimin kritik të presidentit të klubit të Flamurtarit, Shpëtim Gjika dhe të presidentit të klubit të Besëlidhjes. Drejtuesi i Partizanit iu është përgjigjur me ironi dhe mësohet t'iu ketë thënë: "Unë e kuptoj qëndrimin tuaj, por këtu nuk jemi në gjyqin e Kadri Hazbiut dhe ju të bëni rolin e prokurorëve, ndaj tregohuni më të përmbajtur". Drejtuesi i Partizanit ka kërkuar që në Asamblenë e radhës të bëhen ndryshime në statut, të disa pikave që sipas tij favorizojnë ndjeshëm Federatën dhe Kombëtaren, por jo klubet.

Gabimi me statutin
Xhani ka pranuar para mediave se ka bërë një gabim trashanik kur ka votuar pro statutit të miratuar nga Asambleja në qershorin e vitit të kaluar, megjithëse as që e kishte lexuar fare atë. "Më vjen keq, por duhet ta pranojmë se statutin që prodhoi Asambleja e qershorit të kaluar e votuam pa e lexuar dhe ky është një gabim i yni", tha Xhani. Drejtuesi i Partizanit paraqiti një shkresë ku pasqyroheshin të gjitha kërkesat për ndryshim në statut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›