E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria: Do rishikohet enciklopedia për historinë

• Katër vëllimet e "Enciklopedia e përgjithshme dhe maqedonase", që kanë alarmuar historianët shqiptarë do të rishikohen nga Ministria e Kulturës.

Ndonëse nuk mund të thuhet se bëhet fjalë për një bllokim të botimit të mëtejshëm apo daljen nga qarkullimi të enciklopedisë, në kabinet pohojnë se reagimi i tyre do të vijë në momentet e arkivimit të kërkesës zyrtare - memorandumit nga ana e historianëve shqiptarë. Madje në ministri nuk bëhet e ditur nëse ky botim që rezulton se është i sponsorizuar prej tyre, është një projekt i miratuar gjatë programit të këtij viti, apo i trashëguar nga një vit më parë.
"Nëse ky botim ka elemente, të cilët hedhin baltë, manipulojnë me historinë e shqiptarëve, apo edhe falsifikime të llojeve të tjera, ne do ta rishikojmë dhe do të marrim masat e duhura për të kapërcyer situatën", thonë në kabinet. Ndërsa lidhur me kërkesën e historianëve të USHT për të nxjerrë jashtë qarkullimit enciklopedinë, në ministri thonë se të pavërtetat dhe trillimet sllavo-maqedonase mund të hidhen poshtë vetëm me argumentimin e tyre nga ana shqiptare, qoftë edhe me botimin e një enciklopedie shqiptare, e cila do të përballej me tezat e ngritura prej tyre. Edhe në Institutin e Trashëgimisë Kulturore "Pjetër Bogdani", deklarojnë se trillimet e përmbledhura në enciklopedinë me katër vëllime shumë shpejt do të përballen me kundër argumente, të cilat do të bëhen publike në simpoziumin që organizohet në vjeshtë me temë "Nga Ilirët te shqiptarët". "Për të mos lejuar përgënjeshtrime të tilla, ne do të bëjmë historinë tonë, vetëm në këtë formë do të arrijmë të ndërtojmë të vërtetën. Për këtë arsye ne kemi angazhuar dhe do të angazhojmë studiues të njohur si Stipçeviç e të tjerë", shprehet drejtoresha Hoxha. "Enciklopedia e përgjithshme dhe maqedonase" botuar nga shtëpia botuese MI-AN, dhe redaktuar nga Jovan Pavllovski, është promovuar në fillim të muajit mars. Reagimi ka ardhur disa ditë më pas kur historianë të USHT dhe Shoqatës së Historianëve Shqiptarë kërkuan korrektimin sa më të shpejtë të gabimit të bërë me lejimin e botimit të enciklopedisë. Madje ata kanë përgatitur edhe një memorandum me të cilin do t'u drejtohen të gjitha institucioneve në vend për të bllokuar qarkullimin e mëtejshëm të tij me pretendimin e hartimit të tij nga një grup me fobi shqiptare. Në katër vëllimet dhe 2014 faqet e "Enciklopedia e përgjithshme dhe maqedonase", janë publikuar 22 mijë zëra nga fusha të ndryshme, që përfshijnë personalitete, ngjarje historike, ekonomike, politike, gjeografike, kulturore, religjione, flora e fauna, krahas 8 mijë zëra të tjerë të cilët kanë të bëjnë me kufijtë etnike, gjeografike e historike. (Marrë nga gazeta "Koha" e Maqedonisë)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›