Gjendet kanabis në fshat, pranga kryeplakut dhe dy inspektorëve pyjorë
Kryeplaku i një fshati në zonën e Dukagjinit dhe dy inspektorë të policisë pyjore të zonës janë vënë në pranga nga Policia e Shkodrës për moskallëzim krimi dhe kultivim të bimëve narkotike. Në fshatin ku ato ushtronin detyrën janë gjetur dhe sekuestruar 1550 rrënjë kanabis sativa. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër bënë të ditur se gjatë një operacioni të organizuar në fshatin Bruçaj të Komunës Pult, në zonën e Dukagjinit, janë asgjësuar 1550 rrënjë kanabis sativa, si dhe janë vënë në pranga kryeplaku dhe dy inspektorë të policisë pyjore. Të ndaluarit janë: Mëhill Demaj, 53 vjeç, kryeplak i fshatit Bruçaj, Gjergj Prozhmi, 52 vjeç, banues në fshatin Bleran të Komunës Rrethina Shkodër dhe Gëzim Hagrepi, 41 vjeç, banues në fshatin Domen të Komunës Postribë. Dy të fundit ushtronin detyrën e inspektorit të policisë pyjore, në zonën e Komunës Pult.
Sipas policisë, prangosja e këtyre tre punonjësve të shtetit është bërë pasi në vendin e quajtur “Lugina e Qutit”, në fshatin Bruçaj të Komunës Pult, u gjetën disa parcela të mbjella me bimë narkotike, ku gjithsej kanë qenë 1550 rrënjë, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.
Dy inspektorët e policisë pyjore që mbulojnë këtë zonë, si dhe kryeplaku i fshatit Bruçaj nuk kanë informuar në lidhje me kultivimin e këtyre bimëve. Në ngarkim të shtetasve të arrestuar janë ngritur akuzat për veprat penale të “moskallëzim të krimit” dhe “kultivim të lëndëve narkotike”. Ndërkohë ky është rasti i dytë brenda këtij viti, kur kryepleqtë vihen nën pranga për moskallëzim të zonave që janë të kultivuara me bimë narkotike.
Në muajin qershor të këtij viti, kryeplaku i fshatit Qerret, Prengë Vukaj, u arrestua, pasi në fshatin e tij u gjetën 340 rrënjë kanabis sativa në një tokë pa pronar. Nga ana tjetër, ky është rasti i parë në Qarkun e Shkodrës kur arrestohen inspektorë të policisë pyjore për moskallëzim të zonave që janë të kultivuara me kanabis sativa. Qarku i Shkodrës është një ndër zonat problematike për sa i përket kultivimit të bimëve narkotike.
#