E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjendet koka e therur e një gruaje dhe thika

04/05/2005  Zbulimi në Jubë të Durrësit. Policia kërkon trupin e viktimës

DURRËS-Një tmerr, për atë që e kanë parë, një skenë horror, i ka shtangur dëshmitarët zbulues. Një kokë e prerë me thikë nga trupi dhe e groposur nën tokë afro një muaj e gjysëm më parë. Disa pushues pranë pishave në Jubë-Sukth, të Durrësit gjejnë një kokë njeriu të varrosur e e aty pranë një thikë me njolla gjaku. Tronditja që u kishte shkaktuar pamja e llahtarshme e një koke të veçuar nga trupi, që ende nuk dihet se ku ka përfunduar, nuk kishte si të mos pasohej me një telefonatë urgjente në Policinë e Durrësit, efektivët e së cilës kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Aty kanë mbërritur edhe mjekët eksperto-ligjorë të spitalit të këtij qyteti, të cilët, në bashkëpunim edhe me specialistë të Prokurorisë së Durrësit dhe të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të ardhur nga Tirana, kryen veprimet e para proceduriale.

Koka

Koka, sipas burimeve nga prokuroria dhe policia, mendohet se i përket një gruaje, mbi 30 vjeçe dhe viheshin re qime të gjata. Ajo është therur me thikë dhe më pas është varrosur pranë repartit të tankeve. Indet e mbetura në disa pjesë mishtore të fytyrës u kanë dhënë ekspertëve përshtypjen se ajo nuk ka më tepër se 2 muaj që ka ndërruar jetë. Dyshimet janë të shumta. Eksperët deri më tani kanë në dosje të paktën 5 emra të dyshuar si viktima të mundshme, njëra prej të cilave mund të jetë edhe Irena Seli, bashkëshortja e zhdukur e Agim Mushës. Burime nga Prokuroria e Durrësit thanë se do kryhen ekzaminimet gjenetike të kokës, që do krahasohen me të gjitha rastet e të zhdukurve të muajve të fundit. Ndërsa thika mendohet se fsheh gjurmët e gishtërinjve të autorit që ka kryer një masakër të tillë. Tashmë koka është izoluar dhe u dërgua në morgun e qytetit, ndërsa në orët e para të mëngjesit të sotëm ajo do të sillet në Tiranë për ekzaminime të mëtejshme.

Mjekët

Doktor Fatosi, mjeku eksperto-ligjor i spitalit të Durrësit, tha për gazetën "Metropol" se, "kemi të bëjmë me një rast tepër të vështirë. Pasi e kemi vëzhguar paraprakisht, kemi vënë re se në kokë ka disa qime të gjata, ndërsa periudha kohore në të cilën ajo është shndërruar në kufomë, nuk i kalon 2 muajt". Ndërsa drejtori i Mjekësisë-Ligjore, Sokrat Meksi tha se, "më kanë konfirmuar që bëhet fjalë për një kokë të veçuar. Kemi dhënë urdhër të izolohet dhe që në mëngjes do të fillojmë të kryejmë ekzaminimet e para laboratorike".

Policia

Sapo janë lajmëruar në rrugë telefonike, efektivët e policisë mbërritën menjëherë në vendngjarje. Burimet policore thanë se pas rrethimit të menjëhershëm të zonës, nuk është ndaluar asnjë person që dyshohet se ka dijeni për ngjarjen. Gjithsesi uniformat blu kanë marrë urdhër të ndjekin këtë rast me urgjencë, pasi mendohet se kjo është një nga ngjarjet më të bujshme të këtij viti. Tashmë skema e vrasjes është përcaktuar. Vrasësi e ka ekzekutuar në një tjetër vend dhe kokën e solli pranë repartit të tankeve, ku e varrosi. Më pas nguli thikën në tokë dhe u largua dhe të gjitha veprimet, sipas policisë, janë kryer në errësirën e plotë të një prej netëve të dy muajve më parë.

Prokuroria

Ekspertët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda do të marrin përsipër ecurinë dhe rezultatin e hetimeve. Të dhënat që ata disponojnë janë marrë nga policia dhe mjekët eksperto-ligjorë, ndërsa specialistët janë tepër të rezervuar në informacionet e tyre. Burimet e organit të akuzës thanë për gazetën se dyshohet se koka i përket një njeriu të zhdukur rreth dy muaj më parë, pa përcaktuar seksin dhe moshën

Irena Seli u zhduk me 16 dhjetor 2002

Irena Seli u zhduk në rrethana të mistershme në sheshin e trageteve në Durrës, teksa kthehej nga Italia me të shoqin, Agim Musho, në 16 dhjetor të vitit të shkuar. Nëna e dy fëmijëve nuk është gjetur ende. Familjarët e Selit akuzojnë Mushon për zhdukjen e gruas. Biznesmeni tashmë është martuar sërish me një grua të huaj, ndërsa nga Seli nuk ka asnjë gjurmë të re, edhe pas kërkimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Pas një konflikti të hapur, vëllai, nëna dhe babai i Irenës e kanë akuzuar drejtpërdrejtë Agim Mushon si vrasës të saj, për shkak të xhelozisë. Ky i fundit ka deklaruar se Irena i kishte vjedhur 100 mijë dollarë në shtëpinë e tij dhe prej andej ka shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas bllokimit dhe zhbllokimit të pasaportës, Musho martohet sërish.

Rreth 20 femra të humbura në Tiranë

Numri i grave të zhdukura, të paktën për rrethin e Tiranës e ka kaluar numrin 20 për një vit, ndërsa të paktën gjysma e tyre janë gjetur ose rikthyer sërish pranë familjeve të tyre. Dyshimet e policisë, sipas burimeve të bluve të Durrësit, deri më tani kanë çuar në një numër të përcaktuar të viktimave të mundshme. Sipas tyre, ky numër është 5. Ndërkaq, zhdukjet janë shtuar në masë edhe në rrethe të tjera të vendit, ku këtu nuk përjashtohet edhe Durrësi. Në këto kushte policia është duke verifikuar të gjitha rastet e mundshme për të përcaktuar identitetin e kokës së gjetur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›