E Hënë, 2 Nëntor 2026

Krimet e Rënda, dy akuza për vrasje kundër Didës

04/05/2005  Ish-kryepolici Beratit do të përgjigjet për vrasjen e Dritan Zhupës dhe Gjergji Gushalit

BERAT - Ilirian Dida, ish-drejtori i Policisë së Qarkut të Beratit, është akuzuar dje zyrtarisht për vrasjet e shtetasve Dritan Zhupa dhe Gjergji Gushali. Akuzat Didës i janë bërë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Përfaqësuesi i kësaj strukture, Altin Malltezi, dje ka kërkuar masën e sigurisë “burg pa afat” për Didën, deri në përfundimin e plotë të hetimeve për vrasjet e kryera në tetor-nëntor 2001. Vrasjet, për të cilët Dida është akuzuar dje, janë kryer në kohën kur ai mbante detyrën e numrit një të policisë së Beratit. Dida, përveç akuzës së dy vrasjeve, duhet të përgjigjet edhe për kryerjen e veprës penale të armëmbajtjes pa leje.

Seanca

Në seancën e djeshme, që drejtohej nga gjyqtari Genci Sinjari, prokurori i Krimeve të Rënda, Altin Malltezi, i ardhur enkas nga kjo prokurori, i ka komunikuar ish-drejtorit të policisë dy akuzat për “vrasje në bashkëpunim” dhe “armëmbajtje pa leje” akuza këto të parashikuara nga nenet 78, 25 e 278/2 të Kodit Penal, për dy vrasjet e njëpasnjëshme të kryera në vitin 2001. Sipas burimeve zyrtare nga gjykata, këto akuza janë të ndara për secilën vrasje më vete dhe janë përkatësisht për vrasjen e Dritan Zhukës, i njohur me pseudonimin “Shuaipi”, banor i lagjes “Barikadë”, i vrarë në tetor të vitit 2001 dhe për vrasjen e shtetasit Gjergji Gushali, banor i lagjes “Vakëf”, larguar nga shtëpia më 6 nëntor të vitit 2001 dhe i gjetur i vrarë më 13 nëntor të po atij viti në vendin e quajtur “Ura e Kuçit”, zonën e fshatit Fier-Shegan. Po dje, prokurori i Krimeve të Rënda, i ka kërkuar përfaqësuesit të seancës gjyqësore, Sinjari, që të marrin masën e “arrestit në burg” për ish-kreun e policisë të Beratit, Didën, me të njëjtat akuza. Kjo kërkesë është bërë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për arsye e vetme që t’i jepet koha e nevojshme në dispozicion këtij organi që të fillojë hetimin e dy vrasjeve të bujshme të ndodhura në Berat, pak më shumë se 3 vjet më parë. Po në seancën e djeshme të radhës, gjyqtari Genci Sinjari duket se ka qenë i të njëjtit mendim me prokurorin e Krimeve të Rënda, pasi ka vendosur të njëjtën masë arresti me atë që ka kërkuar prokurori i kësaj çështje Malltezi.

Vrasja e “Shuaipit”

Ngjarjet për të cilat ish-kreu i policisë të Qarkut të Beratit, Ilirjan Dida, dje në Gjykatën e Faktit të këtij rrethi mori masën e sigurisë, atë të “arrestit në burg” ka ndodhur në vitin 2001 një muaj larg njëra-tjetrës. Të dy viktimat, sipas burimeve të policisë, ishin kontigjent i saj dhe njërez me precedentë penalë. Vrasja e parë, për të cilën akuzohet Ilirian Dida ka qenë ajo e Dritan Zhupës. Po i njëjti burim policor ka thënë dje për gazetën „Metropol“ se Dritan Zhupa ishte shpallur person në kërkim për vrasje, vjedhje me armë dhe përdhunime. Por, në fillim të muajit tetor të vitit 2001, „Shuaipi“ ka rënë në grackën që i ka ngritur policia dhe sipas njoftimit për shtyp të policisë për atë ngjarje, Zhupa ka kundërshtuar me armë policinë dhe në këmbimin e zjarrit ka ngelur i vrarë Zhupa në mesnatën e 1 tetorit dhe për gjithë natën policia ka mbajtur të rrethuar vendin e ngjarjes dhe sapo ka zbardhur dita trupi i pajetë i Zhupës është transportuar për në morgun e spitalit të qytetit për t’u marrë më pas nga familjarët e të afërmit e tij. Ky ka qenë varianti zyrtar i kohës, por duket se tashmë ky variant ka rënë dhe pritet që një tjetër skemë vrasjeje, ku dyshohet të jetë i implikuar edhe Ilirian Dida të zbardhet plotësisht. Së bashku me skemën pritet që të bëhen publike dhe motivet që mund ta kenë shtyrë një drejtor Drejtorie Policie që të vrasë një të shpallur në kërkim.

Vrasja e Gushalit

Vetëm një muaj pas vrasjes së “Shuaipit”, një tjetër ngjarje e bujshme ka ndodhur në Berat. Më 6 nëntor të vitit 2001, ka humbur Gjergji Gushali, të cilin gruaja e tij, Moza, e ka denoncuar si të “humbur” në polici, të nesërmen më 7 nëntor. Sipas pohimeve të gruas të Gjergji Gushalit, ajo ka komunikuar me të shoqin 24 orë para se ai të “mos bëhej më i gjallë”, ku Gjergji i ka kërkuar që t’i nxirrte te dyqani i saj 5 milionë lekë, pasi i duheshin për nxjerrjen nga pika e bllokimit policor të një makine. Më pas, ai nuk është dëgjuar më në telefon dhe në mëngjesin e datës 23 nëntor 2001, Gjergji Gushali është gjetur i vrarë me një plumb në kokë në vendin e quajtur “Ura e Kuçit” në pjesën e fshatit Fier-Shegan.

Karriera e Didës në Bert

Ilirjan Dida, ish-kreu i policisë të Beratit ka shkuar në policinë e këtij Qarku në janar të viti 2001 dhe 6 muaj më pas në aksionin për kapjen e personit të kërkuar Lulëzim Caka, në qershor të po atj viti, ai u komandua drejtor i Policisë të Qarkut të Beratit, pas pezullimit nga puna të kreut të atëhershëm të Drejtorisë, Ylli Tafili. Tre muaj më pas u emërua drejtor i Policisë së Qarkut të Beratit, post që e mbajti deri në shkarkimin e tij më 16 dhjetor të vitit 2003 nga kreu i Ministrisë së Rendit Publik, Igli Toska.

Dida me procese të tjera të hapura gjyqësore

Ky nuk do të jetë procesi i parë për Ilirian Didën. Gjobëvënie dhe prishje të pronës së tjetrit në bashkëpunim, ishte akuza e ngritur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, për Didën pas djegies së dyqanit të baxhanakut të tij. Kjo akuzë i shtua vargut të gjatë të akuzave që rëndonin mbi të.

Ndërsa Gjykata e Apelit në Gjirokastër, ka marrë vendimin që e dënon me 4 vjet burg, ndërkohë që çështja po shqyrtohet në Apel. Gjykata e Shkallës së Parë e Gjirokastrës ka vendosur disa kohë më parë dënimin me 4 vjet burg për nënkolonel Ilirian Didën, ish-kryepolici i Beratit, si dhe me 3 vjet burg për shoferin e tij, Asllan Rama. Dida, sipas trupit gjykues, akuzohej për veprën penale të mitmarrjes në kohën kur ishte shef i Komisariatit të Policisë së Gjirokastrës në vitin 1998. Sipas gjykatës, akuza e Prokurorisë, se Ilirian Dida ka marrë nëpërmjet shoferit të tij, Asllan Rama, 4 milionë dhrahmi greke, për lirimin e një personi të akuzuar për grabitjen e Bankës së Gjirokastrës gjatë trazirave të dhunshme të vitit 1997, u provua gjatë seancave të gjykimit. Akuza ndaj ish-drejtuesit të policisë lidheshin me ngjarjet e ’97-ës, atë të vjedhjes së Bankës së Kursimeve, ku mendohet të jenë implikuar shumë persona.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›