E Hënë, 2 Nëntor 2026

Grabitet me armë tregtari i shumicës, i merren 12 milionë

04/05/2005  Autorët ende të paidentifikuar

VLORË - Rikthehen vjedhjet me maska ndaj tregtarëve vlonjatë. Është regjistruar dje, në orët e para të mëngjesit, një vjedhje me dhunë nën presionin e armës ndaj një tregtari shumice nga Vlora.

Sipas burimeve policore të Drejtorisë Vlorë mësohet se në orët e para të mëngjesit një patrullë e policisë rrugore është lajmëruar nga shtetasi Altin Gjikoka se sapo i kishin vjedhur plot 12 milionë lekë të vjetra, dy persona të armatosur dhe me maska. Menjëherë tregtari është thirrur në komisariat për të dëshmuar rreth ngjarjes.

Sipas zëdhënësit të policisë së Qarkut të Vlorës, Enkelejd Selmani mësohet se shtetasi Altin Gjikoka, 34 vjeç, lindur e banues në Vlorë, ka qenë duke udhëtuar me makinën e tij, tip “FIAT”, me targa VL 1690 B, drejt Fierit, ku edhe do të furnizohej më mallra shumice për dyqanin e tij, i cili ndodhej afër tregut të orizit.

“Pasi kisha furnizuar makinën me karburant në kthesën e Panajasë më doli para një makinë e zeze, tip BENZ, me targa të huaja dhe prej andej pashë dy persona me maska, të cilët më drejtuan tytën e armës në kokë e më thanë – paratë se të vramë! Nuk bën asnjë veprim tjetër, ndërsa unë kam nxjerrë nga kroskoti i makinës çantën, ku ishin plot 12 milionë lekë të miat, të cilat duhej t’i dorëzoja në Fier, te një tregtar, ku unë furnizohem rregullisht. Benzi i zi, së bashku me maskat, më kanë zënë rrugën dhe unë nuk kisha mundësi t’i shmangesha” - bëhet e ditur të jetë shprehur i dëmtuari.

Më tej tregtari i grabitur dje ka rindërtuar ngjarjen, duke thënë se ata ishin para tij dhe sapo kanë parë makinën së largu kanë bllokuar rrugën që unë të isha i detyruar të ndaloja.

“Morën paratë dhe ikën fluturimthi”, pohoi në polici tregtari Gjikoka.

Policia ka marë faktet e denoncuara nga ana e tregtarit dhe menjëherë ka organizuar postblloqet e saj në dy pikat hyrëse të qytetit, në atë të Pusit të Mezinit dhe atë nga ish-reparti i xhenjos, si të vetmet mundësi të hyrjes së vjedhësve në qytet. Por më kot, sipas burimeve të policisë, mësohet se hajdutët me makinë tip Benz, me targa të huaja, mund të kenë ndërruar targat menjëherë dhe kanë arritur të futen në qytet, gjatë kohës që iu desh tregtarit të bëjë denoncimin e tij në policinë rrugore.

Policia ende nuk ka asnjë fakt që mund t’i çojë ata drejt vjedhësve me maska, pasi dy personat me maska dhe të armatosur duket se kanë vepruar si profesionistë, duke mos lënë asnjë gjurmë të saktë në vendngjarje.

Sipas burimeve policore të sektorit të krimeve kundër personit, kohët e fundit ka një rritje të fenomenit vjedhje në banesa, por edhe në tregtarëve të vegjl apo të mesëm, kjo si pasojë e rritjes së varfësirësë në qytetin bregdetar.

Asnjë autor për vjedhjen e pasaporteve të anglezëve

VLORË - Ende asnjë provë për identifikimin e vjedhësve të pasaportave të shtetasve anglezë. Në polici në orët e fundit janë shoqëruar mjaft persona që konsiderohen si kontigjent vjedhësish të vegjël, të cilët janë pyetur rreth pasaportave të anglezëve. Në polici janë marrë edhe mjaft prej anëtarëve të personelit të hotel “Nju Jork”, ku ndodhi vjedhja e pasaportave të shtetasve anglezë, në mënyrë që të mund të ndërtohet ndonjë identikit i mundshëm i personave, që mund të kenë marrë dokumentet e shtetasve anglezë. Nga fotografitë që personeli ka parë në polici ata kanë shënuar në rreth 4 prej tyre, si personat që mund të kenë qenë ulur afër të huajve në atë mbasdite te hoteli në zonën e “Ujit të Ftohtë”. Ndërkohë të huajt janë ende në Tiranë për plotësimin e dokumenteve që duhen për t’u ripajisur me pasaportat përkatëse nga shteti i tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›