E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet kufoma e 25-vjeçarit, dyshohet overdozë

Durrës, policia ka gjetur trupin e pajetë të Fatjon Katrelit. Pranë trupit ndodhej një shiringë me lëndë narkotike


DURRËS- Policia e Durrësit ka gjetur kufomën e një 25-vjeçari që dyshohet se ka vdekur si pasojë e overdozës së lëndëve narkotike. Kanë qenë orët e vona të natës kur një telefonatë në sallën operative të policisë ka njoftuar se në një zonë në afërsi të Maozoleumit të Dëshmoreve gjendej kufoma e një të panjohuri.


Policia ka shkuar në vendin e gjetjes së bashku me mjekët dhe kanë konkluduar se i riu kishte vdekur rreth katër orë më parë se të ishte bërë njoftimi për vendndodhjen e tij.


Policia pasi ka bërë verifikimet e rastit ka bërë edhe identifikimin e personit si dhe shkaqet që e kishin shpënë atë në humbjen e jetës.


Ajo ka konstatuar se viktima ishte 25- vjeçari Fatjon Katreli dhe se dyshohej se kishte vdekur nga overdoza e drogës. Nga këqyrja që iu bë trupit dhe vendit ku u gjet ai, policia zbuloi një shiringë me lëndë narkotike.


Policia ka marre më pas trupin e viktimës dhe e ka shpënë me ambulancë në morgun e qytetit, gjatë orëve të para të mëngjesit për të bërë kontrollin e llojit të drogës së konsumuar në se ishte vërtet overdoze apo vdekje e simuluar si nga overdoza.


Burimet e policisë saktësuan se mbi trupin e 25- vjeçarit nuk kishte pasur gjurmë të tjera dhe as shenja të mundshme dhune dhe se vdekja i kishte ardhur nga shkaqe të përdorimit të drogës mbi kapacitetin përballues të organizmit të tij.


Në mjediset e muzeut që është një zonë thuajse e mbuluar nga gjelbërimi dhe jashtë shikimit të kureshtareve dhe nga që ka edhe zona të dëmtuara e kthina të përdorshme për përdoruesit e drogës ndodhin shpesh vizita të tilla dhe shpesh policia e mban nën kontroll për të mos lejuar përdorimin e mjediseve nga elemente që mund të rrezikojnë me drogat e rastit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›