Lezhë, digjen tre banesa, rrezikohen disa të tjera
Situatë e rënduar në zonën e Lezhës ku flakët kanë përfshirë pyjet dhe janë duke rrezikuar banesat e njerëzve
LEZHË- Tre banesa janë djegur dhe disa të tjera janë rrezikuar nga flakët e zjarrit në fshatin Kaçinarë në komunën e Kolshit në Lezhë. Flakët e zjarrit janë përhapur me një shpejtësi të madhe të ndikuara edhe nga era e fortë, duke përfshirë në to edhe tre banesa.
Zjarri ka arritur në fshatin Kaçinar që herët në mëngjes, ndërsa afër shtëpive është konstatuar vetëm rreth orës 12. Flakët e zjarrit kanë kaluar nga malet e Mirditës për në zonën e Lezhës, duke vënë në gatishmëri të lartë ekipet zjarrfikëse, shtabet e emergjencave civile dhe ushtrinë.
Përhapja e flakëve ka vijuar deri në afërsi të fshatit Manati,dhe duket tepër e vështirë për tu vënë nën kontroll. Për këtë rast është kërkuar edhe mbështetje nga Ministria e Mbrojtjes dhe asaj të Mjedisit. Banorët e zonës nuk kanë hezituar për të braktisur shtëpitë e tyre, të cilët të hipur në mjete të rastit u janë drejtuar të afërmve të tyre për të qenë të mbrojtur.
Nga të dhënat që vijnë si nga drejtuesit e pushtetit lokal por edhe ato të emergjencave civile, deri tani është djegur një sipërfaqe prej 300 hektarë, ndërsa flakët vazhdojnë të gllabërojnë dhe zgjerojnë perimetrin e zonës së djegur.
Për shuarjen e flakëve janë angazhuar zjarrfikës nga Lezha, Kurbini, Mirdita ndërsa në ndihmë janë paraqitur edhe përfaqësuesit e njësive vendore.
Ende nuk është bërë e mundur shuarja e flakëve dhe se nuk dihet cili do të jetë dëmi i shkaktuar deri në mbrëmjen e së premtes. Banorët deklarojnë se kanë qenë të detyruar të braktisin shtëpitë e tyre dhe për të lënë gjithçka në mëshirë të fatit.
Ata shprehen se zjarri ka disa ditë që ka rënë në malet e Mirditës, por mos shuarja e tij ka bërë që ai të arrijë deri në zonën e Lezhës. Sipas banorëve, janë mbi tetë shtëpi të cilat mund të përpihen nga flakët nga momenti në moment dhe është tepër e vështirë për të penguar vërshimin e flakëve. Gj. Figuri