Elbasan, kërcënon gruan se kërkoi divorc
Safet Veizaj ka shkuar në shtëpinë e gruas dhe ka ushtruar dhunë mbi të duke i kërkuar që të mos ndahen
ELBASAN- Një grua është dhunuar dhe kërcënuar me vrasje nga bashkëshorti i saj sepse kërkonte divorcin. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22.00 të së enjtes në Elbasan kur 44- vjeçari Safet Veizaj ka shkuar në shtëpinë e bashkëshortes Liri Veizaj në lagjen 11 Nëntori.
Pasi kanë debatuar mbi një proces që kishte filluar për ndarjen përfundimtare, burri ka humbur arsyen dhe ka filluar ta godasë e ta kërcënojë gruan. Ndaj burrit ekziston edhe një urdhër gjykate që nuk e lejon t'i afrohet gruas pasi rastet e dhunës nuk mungonin mes bashkëshortëve. Kështu sipas dëshmisë së gruas, pas grindjeve të vazhdueshme burri e keqtrajtonte dhe ajo i ishte drejtuar gjykatës bashkë me kërkesën e divorcit.
Kjo kërkesë ka hasur në refuzimin e bashkëshortit por duke parë marrëdhëniet e acaruara dhe episodet e mëparshme të dhunës së burrit ndaj gruas ka marrë vendim për mbrojtjen e gruas. Urdhri i mbrojtjes e ka acaruar edhe më tepër 44- vjeçarin, i cili një ditë më parë e ka thyer atë. Kjo ka bërë që gruaja të telefonojë policinë.
Kjo e fundit ka arrestuar në flagrancë 44 -vjeçarin duke e gjetur në territorin ku nuk duhet të shkelte. Gruaja e tij e ka akuzuar edhe për dhunë. Nga kontrolli në shtëpinë e burrit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 650 copë fishekë model 56. Burri tashmë do të përgjigjet për kanosjen, thyerjen e urdhrit të gjykatës dhe për mbajtje pa leje të municioneve luftarake.