Prodhonin etiketa false, katër në pranga
Policia e Tiranës ka arrestuar katër persona që tregtonin produkte ndërtimi, të cilëve u kishin falsifikuar etiketat
TIRANË- Pas një hetimi një vjeçar nga Antikrimi Ekonomik në Policinë e kryeqytetit, kanë përfunduar në pranga katër persona, të cilët dyshohen si të përfshirë në një grup të prodhimit të lëndëve të ndërtimit me etiketa të falsifikuara, duke përdorur emrat e disa subjekteve tregtare.
Avni Bajraktari, 45 vjeç, Arjan Kona, 38 vjeç, Agron Ramilli, 46 vjeç dhe Aurel Çezma, 34 vjeç, të katër banues në Tiranë, janë personat e arrestuar gjatë operacionit të koduar "Stuko", që është shtrirë në disa zona të kryeqytetit të cilët akuzohen për "prodhim të kundërligjshëm të artikujve industriale dhe ushqimore, "mashtrim" dhe "falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve". Lajmi për arrestimin e të lartpërmendurve është bërë i ditur dje për "Shekullin", nga burime zyrtare të Policisë së Tiranës, ku thuhet se operacioni u shtri në disa zona si në: Kamëz, Rruga e Barrikadave, Ish- Uzina Dinamo dhe Rruga Ura.
Strukturat e hetimit të antikrimit Ekonomik, kishin nisur hetimet që në tetor të vitit 2008, ku kishin lindur dyshimet se një subjekt tregtar prodhonte dhe tregtonte produkte ndërtimi, duke falsifikuar produktin dhe ambalazhin e një subjekti tjetër tregtar.
Sipas të dhënave nga blutë e kryeqytetit, vendi i prodhimit dhe i stampimit të materialeve që përdoren kryesisht për ndërtim, ishte përshtatur brenda ambienteve të ish- Uzinës Dinamo si dhe në ambientet e një shtypshkronje dhe arrestimi i katër personave është bërë në momentet prodhimit të materialeve të ndërtimit.
Burimet policore pohuan dje se produktet e falsifikuara janë prodhuar dhe tregtuar për një periudhë gati dy vjeçare, ndërkohë dyshohet se dëmi i shkaktuar si ndaj shtetit ashtu dhe ndaj subjekteve private, nga kjo veprimtari shkon në shuma të konsiderueshme parash, shumë e cila nuk është bërë e ditur nga strukturat e Antikrimit Ekonomik.
Ndërkohë, pas kontrollit të ushtruar nga agjentët e policisë në ambientet ku prodhoheshin materialet, u gjendën dhe u sekuestruan: 5000 thasë me po produkt ndërtimi kollë dhe fino, 12 lastra për stampimin e mbishkrimeve tek ambalazhet e produkteve të ndërtimit, 290 fletë të printuara me format A1 me emërtime tregtare, që do përdoreshin për ambalazhimin e lëndës së prodhuar.