Gjendet në Drinin e Zi kufoma e një gruaje
Gjendet në ujërat e Drinit të Zi kufoma e një gruaje 45-vjeçare. Mbrëmjen e së enjtes, të afërm të Tefta Asllanit nga fshati Burim i Komunës Maqellarë, kishin njoftuar në polici për largimin e saj nga shtëpia. Gruaja ishte larguar nga banesa në drejtim të paditur dhe prej orësh nuk kishin informacion për fatin e saj. Paraditen e djeshme, banorë të fshatit Ushtelenxë, të Komunës Tomin në Rrethin e Dibrës, kanë gjetur një kufomë gruaje që lundronte në ujërat e lumit Drin i Zi, në afërsi të fshatit të tyre. Banorët kanë sinjalizuar policinë dhe menjëherë në vendngjarje kanë shkuar uniformat blu, të cilat kanë bërë këqyrjen e kufomës. Paraprakisht është konkluduar se në trupin e viktimës nuk ka pasur shenja dhune, çka ka përjashtuar kështu mundësinë e ndonjë vrasjeje. Për momentin, varianti më i mundshëm i ngjarjes mbetet vetëvrasja, ose rënia aksidentale e gruas në lumë. Pas identifikimit të kufomës, policia ka bërë publike se trupi pa jetë i gjetur në ujërat e lumit Drin ishte i 45-vjeçares Tefta Asllani. Burime nga policia njoftojnë se viktima është hedhur në ujërat e Drinit, në vendin e quajtur Ura e Topojanit, vetëm rreth tre kilometra larg vendbanimit të saj, Maqellarë. Ujërat e rrëmbyeshëm të lumit e kanë përpirë trupin e gruas duke e zhvendosur në një distancë prej rreth 8 kilometrash, deri në fshatin Ushtelenxë. Për momentin nuk janë të qarta shkaqet që e detyruan viktimën t‘i japë fund jetës tragjikisht, duke u mbytur në lumë, por mësohet se grupi hetimor i ngritur për ngjarjen po punon për zbardhjen e shkaqeve që e kanë detyruar gruan të vetëflijohet.