E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit, goditja e dytë pritet gjatë vjeshtës

Virusi i gripit të derrit duket se nuk e ka treguar ende të gjithë forcën e tij goditëse. Kjo valë e parë, që sipas ekspertëve të OBSH-së "ka nisur të vihet nën kontroll", duket se është vetëm një shfaqje e lehtë e virusit H1N1. Një tjetër goditje e tij mendohet se mund të vijë në sezonin e vjeshtës, që njihet edhe si periudhë me viroza të shtuara gripale, për shkak të ndryshimit të temperaturave. Ndërsa nuk dihet nëse ajo do të jetë më e lehtë apo më e fortë se kjo e para, që erdhi mjaft papritur për shkak të mungesës së njohjes së shëndetësisë me këtë lloj virusi. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, i cili duke iu referuar të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë ka pohuar dje se virusi H1N1 i ri parashikohet të ketë një tjetër përhapje rreth muajit shtator-tetor. Por lajmi i mirë për këtë është fakti se gjatë kësaj periudhe pritet të dalë dhe stoku i parë i vaksinës kundër këtij virusi, që është duke u përpunuar prej shkencëtarëve, por kërkon të paktën tre muaj kohë.

"Ekspertët mendojnë se bëhet fjalë për një valë të parë, e cila mendohet se është e lehtë, por që mund të rikthehet sërish me fillimin e sezonit të gripit, asnjë nuk mund ta thotë me siguri nëse do të jetë më e fortë apo më e lehtë", theksoi më tej drejtuesi i Institutit të Shëndetit Publik. Përsa i përket situatës aktuale në vend dhe masave që kanë marrë institucionet shëndetësore, Ylli shprehet se çdo gjë është nën kontroll, ndërsa konfirmon se stoku me medikamentin antiviral Tamiflu është brenda skadencës dhe mund të përballojë deri në 3 mijë pacientë.

Nga monitorimi i situatës në kufi nga shërbimet shëndetësore, drejtori i ISHP-së konfirmon marrjen e mostrës vetëm nga një rast i dyshuar, që fatmirësisht ka rezultuar negativ. Ndërkohë që sipas tij ka filluar marrja e mostrave nga spitalet e rretheve, për të parë se mos rastësisht gripi ka depërtuar në Shqipëri, duke kapërcyer barrierën e monitorimit të kufijve.

Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim edhe me drejtuesit e Ministrisë së Arsimit kanë përgatitur edhe një fushatë sensibilizuese nëpër shkolla për njohjen me këtë sëmundje, simptomat dhe mënyrat e mbrojtjes prej saj.

Përfaqësuesit e MSH-së bëjnë të ditur se "janë përgatitur dhe shpërndarë për popullatën materiale informuese mbi gripin e derrave, simptomat dhe masat që duhen marrë për parandalimin e këtij virusi". Materialet janë shpërndarë në aeroportin ndërkombëtar "Nënë Tereza", si dhe pikat e tjera kufitare, por dhe në institucione publike dhe private. Janë vënë gjithashtu në dispozicion numrat telefonikë për çdo urgjencë si 2374756, në 0682414332 si edhe 0693087781. Po kështu edhe Drejtoria e Shëndetit Publik në Tiranë ka nisur shpërndarjen e fletëpalosjeve për informimin e nxënësve në shkollat publike dhe private në Tiranë. Mënjanimi i frekuentimit të vendeve publike, larja dhe dezinfektimi i vazhdueshëm i duarve janë disa prej rekomandimeve të specialistëve të shëndetit publik. Bazuar në rekomandimet e OBSH-së, Shërbimit të Edukimit dhe Promocionit të Shëndetit në DSHP, udhëzohen banorët të respektojnë rregullat e higjienës personale. Për të gjithë personat që shfaqin simptoma të gripit, rekomandohet regjim shtrati dhe izolim nga të tjerët për disa ditë, kryerjen e menjëhershme të vizitave te mjeku, përdorimi i lëngjeve me shumicë, si dhe ushqime të pasura me kalori dhe vitamina. Në fletëpalosjet e shpërndara theksohet se të gjithë personat që shfaqin shenja si temperaturë e lartë, ethe, dhimbje e fortë koke, fyti dhe trupi, çrregullime të tretjes, rrufë, teshtitje, skuqje të syve dhe të fytit, dobësi të përgjithshme, kollë të thatë, apo ulje oreksi, duhet të drejtohen menjëherë tek mjeku. Deri tani, në vendin tonë nuk është konstatuar asnjë rast me gripin e derrave.

OBSH

Stabilizohet gjendja,

gripi "ngec" në shkallën 5

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, gjendja e pandemisë së gripit të derrave, një javë pas shfaqjes së parë, është më e stabilizuar dhe nuk mund të kalojë në shkallën e fundit të rrezikut, shkalla 6. Ndërkohë që në Evropë janë shfaqur dy raste të reja, në Zvicër dhe në Holandë. Drejtoresha e Përgjithshme e OBSH, Margaret Chan, u ka kërkuar shoqërive farmaceutike të intensifikojnë prodhimin e dy antiviruseve, "Relenza" dhe "Tamiflu", që kanë rezultuar efikase ndaj gripit H1N1. OBSH ka kërkuar gjithashtu që sëmundja të mos quhet më "gripi i derrave", por gripi A, kjo për arsyen se është konfirmuar që virusi nuk transmetohet nga derrat dhe se mishi i tyre është i sigurt. Shumë vende kanë bllokuar importimin e mishit të derrit, edhe pse OBSH thotë që virusi nuk merret duke ngrënë. Meksika për shkak të kësaj pandemie ka arritur në një "STOP" ekonomik. Pas urdhrit të Presidentit Kalderon njerëzit qëndrojnë në shtëpi, duke mbyllur dyqane, shkolla etj., Po kështu, egjiptianët kanë filluar të vrasin derrat, edhe pse janë kritikuar nga Kombet e Bashkuara.

Në Evropë, ministrat e Shëndetësisë së Bashkimit Evropian kanë hedhur poshtë propozimin e Francës për të ndaluar udhëtimet mes Evropës dhe Meksikës. Çdo vend duhet të vendos si të dojë, ndërkohë që ata ranë dakord të ndërmarrin një veprim të përbashkët me industritë farmaceutike për të realizuar një vaksinë.

Kroaci

Dyshohet për një rast të prekur

Sinjalizohet rasti i parë i dyshuar me gripin e derrave në Kroaci. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria kroate e Shëndetësisë pas ekzaminimit të një 22-vjeçareje, e cila kishte shfaqur simptomat gripale. Sipas ministrit të Shëndetësisë, Darko Milinoviç, rasti i të resë pas konstatimit është izoluar menjëherë. Milinoviç shton se pacientja ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe është trajtuar me "Tamiflu:, një medikament antiviral. Edhe Greqia është në gjendje gatishmërie në rast zbulimi të rasteve të personave të infektuar me gripin e derrave. Autoritetet shëndetësore kanë udhëzuar kontrolle të rrepta në pikat kufitare e aeroporte. Masa të ngjashme janë marrë edhe në Maqedoni, ku deri tani nuk flitet për asnjë të prekur nga ky grip. Lidhur me dyshimet për një rast me H1N1 të zbuluar në Serbi, gjithçka është hedhur poshtë nga autoritetet shëndetësore të këtij vendi, të cilat kanë bërë të ditur se rezultatet kishin dalë negative.

Rastet

331 të prekur, mes tyre 10 të vdekur

Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi se deri sot numri i konfirmuar zyrtarisht i rasteve të infektuara me një virus të ri të gripit është gjithsej 331 persona në 11 vende të botës, ndërkohë virusi i rrezikshëm ka shkaktuar 10 të vdekur. Shifrat lidhur me atë që OBSH-ja tashmë e quan gripi AH1N1, gjerësisht i njohur si gripi i derrave, përfshijnë 109 raste të konfirmuara dhe një vdekje në SHBA, dhe 156 raste të konfirmuara dhe nëntë të vdekur në Meksikë, thuhet në një njoftim të publikuar në faqen zyrtare të internetit të OBSH-së. Vendet e tjera ku janë konfirmuar zyrtarisht rastet e infektimeve janë: Austria 1, Kanadaja 34, Gjermania 3, Izraeli 2, Holanda 1, Zelanda e Re 3, Spanja 13, Zvicra 1 dhe Britania e Madhe 8. Por statistikat e tjera jo zyrtare tregojnë shifra më të larta. Për shembull në Meksikë mendohet se më shumë se 176 persona kanë vdekur gjatë ditëve të fundit, ndërkohë që autoritetet e vendit më të prekur nga sëmundja kanë konfirmuar vdekjen e vetëm 12 pacientëve.

Shkodër

Pika kufitare e Muriqanit

ende pa inspektor sanitar

Megjithëse kanë kaluar tri ditë, nga urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë, që në pikat e kalimit kufitar të jenë prezentë inspektorët sanitarë, Muriqani vazhdon të jetë i pakontrolluar nga inspektorët e shëndetësisë. Në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit, punën e inspektorëve të shëndetësisë vazhdojnë ta bëjnë punonjësit e policisë, të cilët shohin çdo person që hyn në kufi, nëse ka simptoma të gripit, si dhe pyesin çdo turist për vendin nga vjen. Në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit gjatë një dite, hyjnë rreth 3 mijë persona. Punonjësit e policisë kufitare në Muriqan shprehen se në këtë pikë kalimi mungojnë inspektorët e shëndetësisë, por deri tani nuk është hasur ndonjë rast i dyshimtë. Ndërsa në Muriqan punën e mjekëve po e bëjnë policët, e kundërta është në pikën e kalimit në Han të Hotit, ku mësohet se inspektorët e shëndetësisë dhe ushqimit janë prezentë gjatë 24 orëve.

Fier

Vaksina "Tamiflu" mungon në të gjitha farmacitë e qytetit që prej muajit janar

Mjekët e urgjencave nuk dallojnë simptomat e gripit të derrit

Urgjencat dhe qendrat shëndetësore të Fierit nuk janë ende gati për të përballuar ndonjë rast të mundshëm pacienti me gripin e derrit. Pas një verifikimi në të gjitha qendrat shëndetësore të Fierit, si dhe në urgjencën e spitalit, zyrtarisht, drejtoresha e grupit spitalor Fier, Najada Jahiqi, pohon se ende nuk është njohur me urdhrat që janë dhënë për situatën e këtij virusi. Kurse ambientet spitalore, sipas saj, jo vetëm në një situatë emergjente, por edhe në situatë normale janë në gatishmëri. Ndërsa, në qendrat shëndetësore, bluzat e bardha të shpjegojnë se nuk janë në gjendje të dallojnë se kur një pacient është me simptomat e gripit të derrit. Është një virus i ri dhe si i tillë e kemi të vështirë edhe ne si mjekë ta konstatojmë, thonë pothuaj të gjithë mjekët e rrethit të Fierit. Kurse në Drejtorinë e Shëndetit Parësor, bluzat e bardha të sektorit të epidemiologjisë kanë marrë të gjitha të dhënat e këtij gripi dhe gjatë dy ditëve të para të javës do të nisin të trajnojnë mjekët dhe infermierët në rang qarku. Vaksina "Tamiflu" apo siç quhet ndryshe vaksina antigrip nuk gjendet në asnjë nga farmacitë e rrethit të Fierit që nga muaji janar 2009. Sipas farmacistëve, mësohet se edhe pse në këtë periudhë është mjaft e kërkuar, vaksina nuk gjendet. "Interesim për vaksinën "Tamiflu" kanë të moshuarit dhe fëmijët. Por që nga janari ne nuk e kemi më", thotë Syrja Hyka, një farmacist. Ata tregojnë se numri i popullsisë që ka marrë vaksinën antigrip para muajit janar është shumë i ulët. Po ashtu, farmacistët pohojnë se vaksina antigrip "Tamiflu" mungon edhe në depot e grosistëve të Fierit. "Kemi bërë kërkesë për këtë vaksinë, por nuk na ardhur. As në depo nuk ka me gjithë kërkesat e vazhdueshme tonat. Edhe shoqata e farmacistëve të Fierit ka kërkuar që nga janari këtë vaksinë", thotë Shaban Tabaku, farmacist.

Durrës

Qëndron e hapur karantina e ngritur për personat me simptoma të gripit

Kontrollet në port, asnjë i dyshuar për virusin H1N1

Asnjë rast i dyshuar si i infektuar nga gripi i derrave nuk është konstatuar në Portin Detar të Durrësit, ndonëse gjatë tri ditëve të fundit kanë zbarkuar rreth 1855 pasagjerë. Lajmin e bën të ditur për gazetën shefi i komisariatit të policisë së këtij porti, Naim Manuku. Karantina e hapur në Portin Detar të Durrësit nuk ka pritur për fat të mirë asnjë rast të dyshuari, ndërkohë që në portin më të madh të vendit pohojnë se numri i hyrjeve në Shqipëri nga kjo pikë kufitare ka ardhur në rritje gjatë ditëve të fundit. Masat e marra janë të larta për të parandaluar çdo depërtim të individëve që hyjnë në vend me shenja të virusit që ka marrë përmasa të frikshme.

Ndërkohë që me imtësi punonjësit e policisë kufitare dhe të shërbimit epidemiologjik në port vëzhgojnë vendin nga kanë ardhur pasagjerët, që çdo ditë zbarkojnë në këtë port nga tragetet e linjave detare, që lidhin dy brigjet e Adriatikut. Manuku tha se gjatë së premtes pritej të hynin në Shqipëri rreth 800 pasagjerë shqiptarë dhe të huaj. Statistikat e dy ditëve të fundit të muajit prill flasin për hyrjen e 634 shtetasve shqiptarë dhe 421 të huajve me 318 automjete. Nuk është konstatuar lëvizja e tyre në vende të prekura masivisht nga virusi H1N1. Prej tri ditësh në pikën doganore të Durrësit, në sheshin e trageteve në port, është ngritur karantina për izolimin e personave që vijnë nga vendet e prekura prej gripit të derrit.

Të gjithë udhëtarët që mbërrijnë i nënshtrohen monitorimit dhe intervistave dhe në rast dyshimi parashikohet futja e tyre në karantinë, ku dhe do t‘u nënshtrohen analizave. Drejtuesit e shëndetit publik në Durrës thonë se është vazhduar gjatë këtyre ditëve me sensibilizim të popullatës për masa të larta higjiene që duhet të marrin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›