Në protestë, vetëm 20 ish-minatorë për statusin
Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve ka kaluar pothuajse pa u ndjerë në qytetin e Kukësit, si dhe në qytete të tjera të qarkut. Përveçse një ditë pushimi për administratën shtetërore dhe publike, shumë pak gjëra të kujtojnë se ishte dita e 1 Majit, e cila vetëm pak ditë më parë mblidhte në Kukës jo më pak se 15 mijë punëtorë, kryesisht minierash. Ndërsa dje mungonin dhe banderolat nëpër rrugë, që zakonisht i vendos bashkia për festa zyrtare. Të vetmit që përkujtuan 1 Majin, ishin një grup i vogël prej rreth 20 ish-minatorësh, të cilët u mblodhën pranë sheshit të Pallatit të Kulturës për një protestë. Ish-minatorët thanë se ishin të zhgënjyer nga shteti për trajtimin e tyre dhe se kishin qëllim të protestonin për statusin e minatorit. Deri në vitin 1992, Rrethi i Kukësit numëronte rreth 16 mijë punëtorë fabrikash dhe minierash, ndërsa sot papunësia për këtë qytet kap shifra të larta, ku sipas zyrës së punës janë të regjistruar rreth 5200 punëkërkues, që për një qytet me 30 mijë banorë është shifër alarmante.