Shpërthimi në hotel, dyshohet pronari
Një ditë pas hedhjes në erë të hotelit katërkatësh në mes të qytetit të Pogradecit, policia ka zgjeruar pistat e hetimit rreth autorësisë së ngjarjes. Konkluzioni i ekspertëve kriminalë se shpërthimi në hotel "Tea" ka qenë i qëllimshëm, ka bërë që rrethi i hetimeve të zgjerohet dhe policia ka marrë në pyetje disa persona, mes të cilëve pronarët dhe personelin e hotelit. Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur se dilema më e madhe e hetimit mbetet motivi. Policia duket se ka tashmë në dorë një emër dhe një person konkret mbi të cilin do të rëndojë akuza, por provat nuk janë ende shumë të forta, gjë që sjell edhe mbulimin e motivit real për të cilën ka ndodhur shpërthimi i orëve të para të së enjtes. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Korçës kanë bërë të ditur se janë një sërë pikëpyetjesh që mbeten të pazbardhura në këtë histori. Arsyet pse në momentin e ngjarjes hoteli ka qenë i boshatisur nga personeli dhe ka qenë i mbyllur atë ditë për klientët, mbeten ende të pazbardhura. Një tjetër aspekt që po merret në shqyrtim është edhe fakti që hoteli është siguruar vetëm pak kohë më parë pranë një agjencie sigurimesh dhe nga ana tjetër i njëjti objekt rezulton të jetë vendosur si garanci pasurore për një kredi të marrë në bankë. Kjo ka bërë që në listën e personave të dyshuar të mos përjashtohen dhe vetë të dëmtuarit. Mësohet se policia dhe grupi hetimor ka marrë në pyetje pronarin e këtij hoteli, Ilir Yzellari. Ai ka deklaruar në polici se hoteli i tij ka më tepër gjasa të jetë shkatërruar në mënyrë aksidentale nga zjarri dhe shpërthimi i gazit. Burime të sigurta thonë se pronari ka deklaruar në polici se nuk njeh ndonjë person që të kërkonte të hidhte në erë hotelin e tij, pasi nuk ka pasur kurrë konflikte që mund t‘i vinin në rrezik aktivitetin apo jetën. Por, për policinë, zjarri në hotel ka qenë i qëllimshëm dhe shpërthimet kanë ardhur si pasojë e eksplozionit të shkaktuar me lëndë djegëse. Ky ka qenë konkluzioni në të cilin kanë arritur ekspertët pas më shumë se 12 orëve verifikime dhe ekspertiza të zgjeruara në vendin e ngjarjes. Ndërkohë, policia ka sqaruar rrethanat se si ka ndodhur shpërthimi. Në çdo kat të ndërtesës është gjetur lëndë djegëse e llojit benzinë. Ambientet e brendshme kanë qenë të spërkatura me lëndë djegëse, sakaq qysh të enjten u mësua se vatra e zjarrit ka qenë një bidon nafte që përdorej për gjeneratorin dhe disa bombola gazi që ndodheshin afër, të cilat kanë shkaktuar shpërthimin e fuqishëm. Një ekip i zgjeruar ekspertësh të policisë së Pogradecit dhe asaj të Korçës po merret me hetimin e këtij rasti. Ndërsa fillimisht policia ngriti dy pista hetimi, atë të një ngjarjeje aksidentale dhe nga ana tjetër të një shkatërrimi të qëllimshëm të pronës, menjëherë pas verifikimeve dhe ekspertizave që janë kryer në hotel pas shpërthimit, nga një ekip i specializuar ekspertësh kriminalë dhe të lëndëve eksplozive, pista e vetme nuk është më një atentat për hakmarrje, por më tej se kaq, me të dyshuar nga brenda hotelit. Hetimet mbi shpërthimin në hotelin "Tea" në qytetin e Pogradecit pritet të hedhin dritë mbi fakte të reja, të cilat do të çojnë në zbardhjen e plotë jo vetëm të rrethanave në të cilat ka ndodhur shpërthimi, por edhe vetë motivit për të cilin është kryer një akt i tillë. Sipas policisë, ajo që është e sigurt për momentin është fakti që ngjarja nuk ka qenë aspak aksidentale, por e qëllimshme.