Topalli: “Populli i dha përgjigjen Ramës në Ballagat”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka komentuar dje deklaratat e Partisë Socialiste për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme në Shqipëri. Gjatë ditës së djeshme, ku kryeparlamentarja ka marrë pjesë në inaugurimet e disa projekteve në Bushat të Shkodrës, është shprehur se nuk ka vend për një kërkesë të tillë për shkak se PS-ja dhe Rama e morën përgjigjen nga zgjedhjet e pjesshme vendore që u zhvilluan ditën e diel në komunën Ballagat të rrethit të Fierit. Nga këto zgjedhje rezultoi fitues kandidati i Partisë Demokratike, duke e lënë në humbje Partinë Socialiste. “Populli i dha përgjigjen e fundit PS-së në Ballagat. Si asnjëherë tjetër KQZ-ja ka votuar 7 me 0 rezultatin për të certifikuar zgjedhjet”, - është shprehur kryetarja e Kuvendit. Topalli është pyetur nga mediat për bashkëpunimin midis Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për qeverisjen e vendit gjatë katër viteve të ardhshme. Topalli ka shprehur bindjen se ky mandat qeverisës do të jetë akoma dhe më i suksesshëm për Partinë Demokratike për shkak se gjatë katër viteve të kaluara ka realizuar një pjesë të madhe të reformave. “Partia Demokratike e ka merituar mandatin e dytë, qytetarët e kanë vlerësuar për atë që PD-ja bëri në mandatin e parë. Ka qenë një sfidë e madhe dhe unë jam e bindur që qeveria ‘Berisha 2’ do të funksionojë, sepse kur ‘Berisha 1’ erdhi në pushtet në vitin 2005 situata ishte në vështirësi të madhe, duke filluar nga korrupsioni i lartë, nga buxheti i ulët, ndërsa tani gjërat janë ndryshe dhe do të ketë më shumë sukses”, - është shprehur Topalli, ndërsa shtoi se nuk ka ende negociata midis dy partive për ndarjen e tortës së pushtetit. Ajo tha se pritet që së shpejti të nisin takimet dhe të përcaktohen detajet e bashkëpunimit midis dy partive të koalicionit qeverisës.
5 Gusht 2009