E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nipi” i mafiozit, gjobë 80 mijë euro 40-vjeçares

 

ITALI – Duke u prezantuar si nipi prej gjaku i një prej bosëve të mafias, detyroi një grua t’i jepte 80 mijë euro. Por plani nuk i ka ecur siç duhet 25-vjeçarit me kombësi shqiptare, pasi gruaja 40-vjeçare në dorëzimin e fundit ka lajmëruar policinë. Agjencitë italiane të lajmeve bënin të ditur dje arrestimin e D.T., 25 vjeç, me kombësi shqiptare, të akuzuar për kërcënime dhe kanosje me qëllim përfitimin monetar. Në pranga ka përfunduar edhe një shtetase italiane e moshës 22 vjeçe me të cilën shqiptari bashkëjetonte. Sipas mediave të vendit fqinj, i riu shqiptar i kishte pohuar gruas së cilës i kërkonte para se ishte nipi i bosit të famshëm të klanit Kasalezi, segment i organizatës kriminale Kamorra, Françesko Skiavone, i njohur edhe si “Sandokan”. Bëhet e ditur se kërkesat për para kishin filluar disa muaj më parë, kur çiftit shqiptaro-italian duhet t’i kthenin një borxh prej mijëra eurosh një të afërmit të tyre. Sipas burimeve policore të vendit fqinj, pasi ka paguar “gjobën” deri në shifrën 80 mijë euro, gruaja 40-vjeçare u ka thënë që nuk kishte më mundësi të vazhdonte, ndërsa dy të rinjtë kanë kërcënuar se do t’i bënin keq fëmijëve të saj. Në këtë pikë, gruaja i është drejtuar forcave të policisë ku ka treguar për gjithë ç’kishte ndodhur. Në dorëzimin e “këstit” të fundit të parave gruaja duhet të dorëzonte një shumë prej 3 mijë e 500 euro. Mësohet se vendi i takimit ishte lënë mbrëmjen e së shtunës pranë një stacioni hekurudhor në Romë. Sapo kanë mbërritur në vendim e caktuar për të marrë paratë, policia, që kishte rrethuar që më parë gjithë zonën, i ka ndaluar dhe arrestuar dy të rinjtë. Pas verifikimeve ka rezultuar se shqiptari nuk kishte asnjë lidhje me Skiavonen.                                     a.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›