E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet një kufomë pranë një lokali në qendër të Fierit

21/02/2010 Nuk dihet identiteti, mendohet të jetë mbytur

Një trup i pajetë është konstatuar në qendër të qytetit të Fierit. Ngjarja ka ndodhur pranë tavernës "Pelari" pas Prefekturës Fier buzë lumit Gjanica. Ka qenë ora 18.30 kur kalimtarë të rastit kanë vënë re një kufomë të pajetë. Menjëherë kanë shkuar pranë trupit dhe kanë pikasur se ai ishte i pajetë. Kjo ka bërë që kalimtarët të njoftojnë policinë, e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes për pak minuta. Këta të fundit, pasi kanë këqyrur kufomën, kanë deklaruar se nuk kanë vënë re asnjë shenjë dhune mbi trupin e personit të pajetë. Policia e qarkut Fier bën me dije se kufoma i përket një mashkulli rreth moshës 45 vjeç. Sipas bluve, trupi i gjetur në anë të lumit Gjanicë pranë urës së spitalit, nuk kishte asnjë dokument identifikimi me vete, çka e ka bërë tepër të vështirë identifikimin e tij . E vetmja gjë që është gjetur në xhepin e xhupit ka qenë një copë letër mbi të cilën shkruhej një emër “Beni”. Policia e ka sekuestruar letrën, ndërsa trupin e ka shoqëruar për në morgun e spitalit. Ndërsa ende nuk jepen deklarime zyrtare për shkaqet e vdekjes së kufomës ende të paidentifikuar, blutë mendojnë se ai është vetëmbytur. Por fakti që kufoma ka dalë në zonën e qytetit nuk do të thotë për policinë se personi mund të jetë qytetar po nga qyteti i Fierit. Uniformat blu kanë bërë njoftime të menjëhershme nëpër rrugët e qytetit. Kështu trupi i pajetë është rreth moshës 45 vjeç, me një gjatësi rreth 1.75 cm, është i thinjur dhe mban të veshur një xhup të zi të shkurtër, pantallona kafe kadife, këpucë të zeza me qafë, ndërsa ajo që theksohet prej policisë është fakti që kufoma ka dy gishta të prerë, gishtin e mesit dhe atë tregues, por këto janë plagë të vjetra, ndërkohë edhe në trup i janë gjetur shenja plagësh po të vjetra. A. Damini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›