E Diel, 1 Nëntor 2026

Paketë propozimesh për të ndihmuar bizneset

21/02/2010 Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë reagon mbi krizën ekonomike

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë ka paraqitur dje një paketë propozimesh për t’i dhënë ndihmë biznesit në përballimin e situatës ekonomike.

Kjo paketë konsiston në hartimin e një pakete ekonomike e financiare që do të ndihmojë drejtpërsëdrejti kompanitë më të goditura dhe më të rrezikuara, të cilat kanë aktivitetin e tyre në sektorët më të prekur nga ethet e krizës. Fatmirësisht për këtë masë përvojat janë të panumërta, paketa financiare u miratuan në shumë vende të botës që shpëtuan nga kolapsi i plotë ekonomik i tyre. “Ne kërkojmë negocim me sistemin bankar të nivelit të dytë për të marrë në konsideratë situatën e marrëdhënieve me klientët e tyre, d.m.th bizneset të cilët duhen ndihmuar duke zbutur kushtet dhe kriteret e vendosura për likuidimin e tyre. Sigurisht në këtë iniciativë është i rëndësishëm dhe roli ndërmjetësues i shtetit”, thuhet në deklaratën për mediat. Për ta një masë shumë e rëndësishme është amnistia e plotë fiskale dhe legalizimi i plotë i aseteve. “Pozicionin dhe propozimin tonë lidhur me këtë iniciativë e kemi bërë prezent pranë Ministrisë së Financave si dhe në mediat e ndryshme të vendit”, thuhet në deklaratë.

Situata e krijuar në vend për dhomën e tregtisë ka një sërë faktorësh, ndërsa cilësohet ulja e ritmit të rritjes ekonomike duke rritur nivele larg objektivave të parashikuara në fillim të vitit si dhe ulja e dukshme e vëllimit të eksporteve nga Shqipëria duke sjellë si pasojë edhe uljen e valutës së huaj që hyn në vendin tonë. Por ndikim ka dhe ulja e fluksit të parave që sillnin emigrantët shqiptarë. Pika këto që kanë tronditur lekun shqiptar përballë monedhave të huaja. Për Dhomën e Tregtisë shenjë e pastër dhe e dukshme e krizës është rishikimi i buxhetit me synim shkurtimin e shpenzimeve në masën 5% tani, kur ky buxhet nuk është bërë akoma operacional. “Ky veprim do të thotë më pak aktivitet për biznesin, më pak të ardhura për kompanitë që administrojnë atë, më pak të ardhura për familjet e punonjësve të këtyre ndërmarrjeve dhe në finale, përkeqësim të standardit të jetesës në vend”, thuhet në këtë deklaratë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›