Paralizohet KRRT-ja, mungojnë të djathtët
Korçë Bashkia e Korçës në “luftë” për mbledhjen e KRRT-së, kërkohet pjesëmarrja e përfaqësuesve të djathtë. Gara elektorale ndonëse nuk ka nisur ende zyrtarisht në Korçë e ka bërë dhe më të fortë tensionin politik në këtë qytet. Ndërkaq të djathtët që kanë shumicën si në Këshillin Bashkiak ashtu dhe KRRT-në qytetit janë duke krijuar jo pak probleme për administratën e bashkisë. Gjatë javës së kaluar është pezulluar mbledhja e KRRT-së që do të shqyrtonte disa çështje mjaft të rëndësishme, ndërkohë që institucioni i bashkisë ka njoftuar një tjetër mbledhje për këtë fundjavë. Gjatë mesditës së të enjtes bashkia ka dalë me një deklaratë për shtyp, ku i bën thirrje si Institucionit të prefektit ashtu dhe degës lokale të PD në qytetin juglindor të mos pengojnë zhvillimin e mbledhjes së KRRT-së. “Ngjarja më e paprecedent dhe me kosto të jashtëzakonshme për qytetin, ishte bojkoti i mbledhjes së të shtunës së kaluar, ku në KRRT do të diskutohej një pikë e vetme: Rikonstruksioni i pazarit të vjetër të qytetit, me një fond 1 milion euro nga delegacioni europian”- thuhet ndër të tjera në deklaratën e bërë publike nga zëdhënësja e bashkisë së Korçës, Benila Tërova. Sipas saj, në mbledhjen e thirrur për këtë të shtunë do të shkojnë për miratim përveç rikonstruksionit të pazarit edhe ndërtimi i pistës së tartanit të stadiumit “Skënderbeu” si dhe ndërtimi i një qendre rezidenciale për të moshuarit, financuar nga organizata holandeze “Shpresë për Shqipërinë” me një fond prej 1 milion euro. “Mbledhja e kësaj të shtune është mundësia e fundit e miratimit të rikonstruksionit të pazarit të qytetit, pasi, nëse edhe këtë herë mbledhja e KRRT -së do të bojkotohet, fondi prej 1 milion euro i delegacionit europian destinuar për pazarin do të digjet. I bëjmë me dije Institucionit të Prefektit dhe Degës të PD se nëse do të bojkotohet edhe kjo mbledhje shumë e rëndësishme e KRRT-së, do të përballen me reagimin e merituar të qytetit të Korçës, për këtë penalizim të paprecedent që po i bëjnë ndërtimit në qytet dhe dhjetëra bizneseve të lidhura direkt me ndërtimin”, nënvizohet më tej në këtë deklaratë. Mbledhja e javës së kaluar nuk është zhvilluar për arsye se nuk është arritur korumi i nevojshëm për vendimmarrje. Kanë qenë përfaqësuesit e Institucionit të Prefektit që nuk kanë pranuar të marrin pjesë në këtë mbledhje të radhës, duke akuzuar kryebashkiakun e Korçës, Niko Peleshi, se po e shfrytëzon politikisht KRRT-në për fushatë elektorale me lejat e ndërtimit.
Irena Vreto