Rrihen të dënuarit ne Burgun e Burrelit
BURREL Të paktën 10 të dënuar të Burgut të Sigurisë së Lartë Burrel janë rrahur me njëri-tjetrin të mërkurën pasdite, ndërkohë që lajmi është mësuar dje paradite, pasi zyrtarët e burgut janë përpjekur ta mbajnë sekret atë për mediat dhe Prokurorinë e Matit. Burime të sigurta informacioni thanë për gazetën MAPO se ngjarja e ka zanafillën pas sherrit të një dite më parë mes të dënuarve G. Gjini e S. Vani, të cilat në momentin e ajrimit janë konfliktuar mes tyre. Ndërkohë, një ditë më pas, krejt gabimisht autoritetet e burgut kanë lejuar ajrosjen e dy të dënuarve në të njëjtin mjedis. Tashmë në sherr nuk janë përfshirë vetëm dy të dënuarit Gjoni e Vani, por edhe 8 persona të tjerë, palë kundërshtare me njëra-tjetrën. Pas disa minutash kanë ndërhyrë forcat e sigurisë së burgut, të cilave u është dashur shumë punë për të normalizuar situatën. Pas afër një ore "luftë" mes të dënuarve për vepra të rënda penale, është bëre bilanci i dhunës. Tre të dënuar janë lënduar dhe tre të tjerë janë izoluar, ndërkaq mbahet sekret dhunimi i forcave të sigurisë. Prokuroria e rrethit Matit sqaroi se kjo ngjarje nuk është bërë e njohur, ndërsa drejtuesit e burgut nuk pranojnë të prononcohen.
P. HASA