Kreshnik Spahiu: Gjyqtarët, jo më pedagogë të jashtëm
Nënkryetari i KLD-së u bëri thirrje gjyqtarëve të Elbasanit të mos zvarrisin proceset gjyqësore, duke bartur konfliktet vit pas viti
Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, u shpreh dje në Elbasan se në Këshill ka fluks kërkesash nga gjyqtarët për të punuar si pedagogë të jashtëm në fakultete. “Në KLD ka fluks të kërkesave të gjyqtarëve për të dhënë mësim si pedagogë të jashtëm në fakultete. A mundet që një gjyqtar, me një ngarkesë të jashtëzakonshme, pra deri në 400 çështje ose dosje, të kenë hapësira për të pasur angazhime sekondare dhe akademike? Ne jemi pro kualifikimeve akademike, por duke i dhënë përparësi proceseve gjyqësore e çështjeve në gjykim, pasi nuk justifikohen angazhimet në jetën akademike, nëse zvarriten çështjet civile dhe penale”, - ka nënvizuar Spahiu. Përsa i përket zvarritjes së proceseve gjyqësore në Gjykatën e Elbasanit, nënkryetari i KLD-së u shpreh se “ka konflikte të bartura vit pas viti dhe këto çështje bëhen shkak për ankesa në KLD për gjykatën tuaj dhe për gjyqtarë në veçanti. Së dyti, përbëjnë shkak për mungesë besimi ndaj gjyqësorit dhe vetë Gjykatës së Elbasanit, ndërsa zvarritjet në gjithë gjykatat e vendit përbëjnë një cenim në Gjykatën Europiane të të Drejtave Njeriut”. Lidhur me cilësinë e gjykimit, ai u shpreh se ka vend për përmirësime. “Nga verifikimet e Inspektoriatit të KLSH dhe Ministria e Drejtësisë, të gjitha këto problematika janë edhe në gjykatat e tjera. Por këtë, KLD dhe ministria kanë kërkuar së pari respektimin e normave të miratuara nga KLD për solemnitetin e gjykimit dhe veshjet e gjyqtarëve. Njihen vështirësitë në planin infrastrukturor, i cili është i mjerueshëm në gjykatën e Elbasanit, megjithatë është e papranueshme mosparaqitja e solemnitetit edhe pse mungojnë ambientet”. Kreshnik Spahiu është ndalur në mënyrë specifike edhe në respektimin e solemnitetit nga ana e avokatëve dhe indiferencën që tregojnë gjyqtarët. “Mosmbajtja e veshjes edhe nga avokatët dhe mosnjoftimi i dhomës së avokatisë nga gjyqtarët është e papranueshme. Ftoj kryetarin e Gjykatës të shikojë që të gjithë komponentët dhe aspektet që lidhen të jenë pjesë e së tërës. Vërtet gjyqësori është shtylla e tretë e pushtetit, por kjo nuk nënkupton që brenda tij të kemi 13 pushtete. Të gjithë entet e drejtësisë duhet të bashkëpunojnë me njëri- tjetrin”. Nënkryetari i KLD-së ka sjellë në vëmendje edhe zgjatjen e proceseve të rëndësishme edhe nga nivelet më të larta të gjyqësorit. “Kemi konstatuar zgjatje të proceseve në gjykatat e mëdha. Është një detyrim i atyre që drejtojnë seancat të gjejnë mënyrat për shmangien e çdo lloj vonese, e cila lidhet me garantimin e një procesi të rregullt gjyqësor. Jo gjithnjë respektohet orari i fillimit të seancave, kjo vjen edhe për mosorganizim të mirë të punës në planifikimin e seancave gjyqësore. Ka përplasje të orareve”, - kanë qenë disa nga parregullsitë e konstatuara dhe të prezantuara gjatë analizës vjetore të Gjykatës së Elbasanit. Gjatë vitit të kaluar në Gjykatën e Elbasanit u regjistruan 6223 çështje penale dhe ngarkesa për çdo gjyqtar ka qenë mesatarisht 366 çështje. Numrin e lartë të kërkesave për ulje të dënimit dhe lirimin para kohe, Spahiu e ka argumentuar me praninë e burgut të Peqinit dhe Kosovës. Lidhur me punën e çdo gjyqtari të Gjykatës së Elbasanit, Kreshnik Spahiu tha se së shpejti do të bëhet analiza e vlerësimit për vazhdimin e karrierës së tyre. F.S.