E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vidhet në mes të ditës me armë argjendaria në Durrës

Argjendaria është vjedhur pa thyerje, nga dy shtetas të cilët mendohet se janë të moshës rreth 25 vjeç dhe të seksit mashkull

DURRËS Dy persona ende të paidentifikuar kanë guxuar dhe vjedhur një argjendari në mes të qytetit të Durrësit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16.20 në rrugën Tregtare, e cila është edhe rruga më e ngarkuar me qarkullimin e njerëzve dhe mjeteve. Policia është vënë në dijeni për ngjarjen vetëm pasi autorët e grabitjes së bizhuve kanë lënë dyqanin dhe janë futur në mes të kalimtarëve të panumërt. Realisht ky dyqan, sipas burimeve policore, ka pasur edhe sistem alarmi që sinjalizon sallën operative të policisë së Durrësit, por që nuk është vënë në punë ngase në lokal ka pasur personel brenda. Burimet paraprake të policisë thonë se në argjendari ka qenë vetëm pastruesja, e cila ka bërë të ditur se argjendaria është vjedhur pa thyerje nga dy shtetas të cilët mendohet se janë të moshës rreth 25 vjeç dhe të seksit mashkull. Grupi hetimor i policisë ka shkuar në vendngjarje sapo është njoftuar dhe në bazë të verifikimeve paraprake mendohet se janë marrë florinjtë që janë gjetur në vitrinë, ngase pjesa e banakut ka pasur çelës, duke e bërë të pamundur vjedhjen e pjesës tjetër të bizhuve. Fillimisht është folur se të dy personat kanë qenë të armatosur dhe me maskë, ndërsa më pas mësohet se grabitësit nuk kanë qenë të maskuar dhe se vetëm njëri prej tyre ka nxjerrë pistoletën për të frikësuar pastruesen, duke e detyruar atë t’u bindet fjalëve të tyre. Policia ka sekuestruar kasetën e kamerave të cilat janë vendosur në disa pika të argjendarisë si dhe kanë filluar hetimet për të marrë shenjat e gishtërinjve. Nuk është thënë ende se sa është vlera e mallit të grabitur, por mendohet se hajdutët kanë mundur të marrin një sasi të konsideruar bizhu floriri. Grupi hetimor ka nisur të inventarizojë edhe mallin për të bërë bilancin e dëmit që i është shkaktuar pronarit të lokalit të licencuar për aktivitetin privat. Ky është rasti i dytë i grabitjes së bujshme të ndodhur në mes të qytetit të Durrësit. Më 18 shkurt banka që është në bulevardin kryesor të qytetit është bërë objekt grabitje me armë nga dy persona. Arta mundën të vidhin shumën në afër 35 mijë euro, por gjithçka përfundoi në dy ditë, pasi grabitësit u arrestuan dhe shuma e vjedhur iu kthye bankës. Drejtori i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Drejtues, Aleks Hajdari, ka deklaruar se po punohet për të identifikuar autorët dhe se shumë shpejt ata do të arrestohen. Dje policia e Durrësit ka arrestuar edhe tre shtetas për vjedhje. E. A., 17 vjeç, i lindur e banues në Durrës, është kapur në flagrancë nga shërbimet e patrullës së policisë në orët e mesnatës në Plazh. 17-vjeçari ka qenë duke vjedhur shtëpinë e shtetasit D. M., 41 vjeç, në lagjen numër 13. Në të njëjtën natë janë vënë në pranga edhe shtetasit Ensimri Seku 22 vjeç së bashku me Luenc Suljani 21 vjeç. Dy të rinjtë kishin marrë në banesën e shtetasit T. S. në Plazh sende të ndryshme, kryesisht elektroshtëpiake. A. Kalemasi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›