Pas muslimanëve, edhe ortodoksët e Shkodrës kërkojnë pronat
At Nikolla Petani ka pohuar se pronat në këtë qytet janë në duart e njerëzve me pushtet
SHKODËR “Ortodoksët e Shkodrës janë komuniteti më i diskriminuar në drejtim të kthimit të pronave. Në këta 20 vjet, këtij komuniteti nuk i është kthyer asnjë pronë dhe pse janë marrë vendime ligjore në favor të tij. Kështu shprehet përgjegjësi i Kishës Ortodokse Autoqefale në Shkodër, At Nikolla Petani, i cili ka reaguar menjëherë pas deklaratës së myftiut të Shkodrës lidhur me pronat. At Nikolla Petani ka treguar për pronat e komunitetit ortodoks në këtë qytet që janë të pakthyera. “Ish-varrezat ortodokse pas urës së Bunës, aktualisht janë një aktivitet asfalt-betoni, duke sjellë dhe ndotje të qytetit. Komisioni i Kthimit e Kompensimit të pronave ia ka kthyer Kishës Ortodokse, por ajo akoma është pronë e bashkisë dhe bashkia nuk vepron, ndërsa dosjet tona flenë në këtë institucion. Ajo që dhe sot njihet me emrin Shtëpia e Oficerëve, ka qenë e kishës ortodokse. Pushteti komunist prishi institucionet e kultit dhe kishën ortodokse e ktheu në shtëpi të ushtarakëve dhe sot aktualisht aty ka disa biznese dhe për 44 vjet vazhdon të hidhet valle e këndohet mbi një kishë. Aty ka dhe biznese dhe zyra pushtetarësh e partish politike, njëra prej të cilave është selia e PR në Shkodër. Kisha ortodokse aktuale në Shkodër është e blerë nga Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe është ndërtuar kjo kishë, ndërsa ambienti ku ajo ka qenë dikur përdoret prej 44 vitesh prej të tjerëve. Është i njohur problemi i ish-turizmit, ose hotel Rozafës, ku ka 20 vjet që ka një proces gjyqësor mes pronarëve të truallit, komuniteti musliman, komunitetit ortodoks dhe familja Laçej. Janë 20 vite gjyqe, ku Komisioni i Kthimit e Kompensimit të pronave ia kthyer Kishës Ortodokse dhe pronarëve të tjerë, ndërhyjnë institucione të tjera, shfuqizohen vendimet e hyjnë në fuqi të tjera me pronarë të tjerë. Shkodranët e dinë se kujt i përkiste më pare ky objekt dhe kujt i përket tani. Të gjithë janë njerëz të lidhur me pushtetin apo të afërm të tyre. Një tjetër pronë e pakthyer e komunitetit ortodoks në Shkodër është dhe lulishtja te spitali, ku kanë qenë varrezat ortodokse dhe kemi kërkuar kompensimin e kësaj prone për të ndërtuar një klinikë diagnostikuese pas spitaleve, por kërkesa jonë ka rënë në vesh të shurdhër. Për secilin prej nesh është e dhimbshme që komunizmi i ktheu kishat në kazerma e klube kulture, dhe sot ka akoma kisha mbi të cilat hidhet valle. I bëjmë apel pushtetit qendror e vendor të mbajë premtimet e dhëna në gjithë këto vite për kthimin e pronave tona dhe të mos harrojë se komunitetet fetare janë një zë shumë i rëndësishëm për të gjithë vendin e veçanërisht për Shkodrën. Ne kërkojmë vetëm zbatim të ligjeve dhe lutemi që këta njerëz të mos i kenë veshët të shurdhër dhe t’u hapen ashtu siç duan ata dhe në ato momente kur u duhet atyre”, ka theksuar At Nikolla Petani. Më tej ai ka përmendur ndihmesën e komuniteteve fetare në periudha të ndryshme, ku më 1997 ishin ato që dolën nëpër rrugët e qytetit duke u përpjekur të shuajnë ligësinë që ekzistonte, apo në rastet e përmbytjeve të vitit të kaluar, ku kanë dhënë ndihmë të drejtpërdrejtë për të dëmtuarit.
Djana Kolaj