E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga dy të rinjve, grabitën e keqtrajtuan 70-vjeçaren

Lezhë Një 70-vjeçare nga fshati Shënkoll i Lezhës është lidhur me litarë, mbajtur e më pas është keqtrajtuar, gjatë një tentative për grabitje në banesën e saj nga dy persona. Sipas burimeve zyrtare të policisë, dy grabitësit kanë qenë me maska dhe të armatosur, në momentin që kanë hyrë me forcë nga dera kryesore e banesës së 70-vjeçares, e cila nuk ka patur forcë që të kundërpërgjigjet. Të njëjtat burime shprehen se dy grabitësit kanë hyrë në banesë rreth orës 03.00 minuta të natës, ndërsa kanë mundur të lidhin plakën e më pas ta keqtrajtonin atë, duke i kërkuar se ku i kishte fshehur lekët.

Sipas burimeve zyrtare të policisë së Lezhës, mësohet se rreth orës 03.00, në lagjen Radaj, të Komunës Shënkollë të rrethit Lezhë, dy persona të maskuar dhe me armë, kanë hyrë dhe kanë grabitur me dhunë banesën e Gjyste Radit, duke e goditur me mjete të forta në kokë, e cila në atë moment ndodhej e vetme në banesë dhe e kanë lidhur atë me litarë. Kanë qenë familjarët e Radës që e kanë gjetur në orët e para të mëngjesit 70-vjeçaren të lidhur dhe të gjakosur, të cilën e kanë dërguar në spitalin Rajonal të Lezhës, ndërsa kanë njoftuar policinë mbi grabitjen e banesës së tyre dhe keqtrajtimit dhe plagosjes së 70-vjeçares. Burime të policisë bëjnë të ditur se dëmtimet i ka në kokë. Me të mbërritur në spitalin e Lezhës një grup specialistësh të policisë së krimeve të rënda kanë mbërritur në spitalin e Lezhës, ndërsa një tjetër grup i policisë kanë mbërritur në banesën e 70-vjeçares ku edhe kanë nisur edhe ekspertizën dhe njëkohësisht mbledhjen e informacioneve. Pas mbledhjes së të dhënave policia ka mundur të gjejë dhe arrestojë Amaros Deda, 22 vjeç, banues në fshatin Shënkollë të rrethit Lezhë, si dhe Fatmir Lika, 22 vjeç. Në banesat e të arrestuarve gjatë kontrollit të policisë janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një automatik dhe një pistoletë, që i mbanin pa leje, me të cilat mendohet se kanë kryer grabitjen. Dy të rinjtë, sipas policisë, e kanë pranuar grabitjen, ndërsa do jetë prokuroria e këtij rrethi që do të vendos mbi masën e arrestit ndaj dy bashkëmoshatarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›