Gjendet shqiptari i ekzekutuar në ishullin grek
ATHINË - Një emigrant shqiptar ka mbetur i vrarë pasi u qëllua me armë zjarri në kokë dhe trupi i tij u gjet nga kalimtarë të rastësishëm në orët e para të ditës së djeshme. Viktima me inicialet C. J., 39 vjeç, është shqiptar me banim prej afro tetë vitesh në Greqi, thanë burimet zyrtare nga Policia greke në Zakintho. Nga hetimet e para policia raporton për një vrasje të ardhur nga një larje hesapesh mes shqiptarësh, ndërsa kanë nisur kërkimet për gjetjen e autorit ose të autorëve. Policia tha se autori e kishte menduar mirë planin e tij të vrasjes dhe nisur nga hetimet e kryera dhe rindërtimi i skenës së krimit, arriti në rezultatin se C. J. ka mbetur viktimë i një atentati të pastër duke marrë dy plumba në kokë. Trupi i 39-vjeçarit u gjet shumë pranë gjimnazit shtetëror në një nga rrugët kryesore të Lithakiasë në Pirgos të ishullit Zakinthos. Ishte një grua, shtetase greke, e cila ndali makinën kur pa në mes të rrugës një trup mashkulli të rrethuar nga një pellg gjaku. Policia, kur mbërriti në vendngjarje, konstatoi se i ndjeri kishte gjetur vdekjen pasi kishte marrë nga distancë e afërt dy plumba në kokë, ku njëri prej tyre i kishte dëmtuar njërin sy. Pranë të ndjerit u gjetën dy celularë, të cilët u sekuestruan nga policia për të mundësuar zbardhjen e pistave të krimit.
17 Prill 2010