E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rrjeta” e policisë çon në pranga tre persona të kërkuar



DURRËS - Të kërkuar për vepra të ndryshme penale, tre persona janë vënë në pranga nga Policia e Durrësit. Burimet zyrtare nga policia lokale thanë se arrestimet janë bërë pasi ata ishin shpallur në kërkim. Kështu, në pranga është vënë Lulzim Meta, 39 vjeç, lindur e banues në Nikël, Krujë. Ndaj tij është bërë ekzekutimi i urdhrit të prokurorisë i datës 20 prill 2010, pasi me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë të datës 15 prill 2010, është dënuar me 70 ditë burg për veprën penale të korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike. Gjithashtu, në pranga ka rënë dhe Arben Sokoli, 42 vjeç, nga Kukësi. Arrestimi i tij është bërë në orën 18:00, pasi dyshohet se në datën 20 mars 2010, ky person ka vjedhur dyqanin pronë e shtetasit A. M. te Shkëmbi i Kavajës, në komunën e Rrashbullit. I treti i arrestuar është Fitim Dumani, 22 vjeç, lindur në Dibër dhe banues ne Lagjen Nr. 14 Durrës, i dënuar më parë, me arsim 8 klasë, me shtetësi e kombësi shqiptare. Në orën 10:00 të dy ditëve më parë është bërë ekzekutimi i vendimit penal të Gjykatës së Rrethit Tiranë i datës 11 shkurt 2010, të cilin ky person është dënuar me 6 muaj burg për veprën penale të dezertimit.

Mediu merr pjesë në Konferencën për Ujërat në rajonin e Mesdheut

Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Fatmir Mediu, mori pjesë në datën 13 prill në Konferencën IV Ministeriale për Ujërat në Rajonin e Mesdheut. Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi i strategjisë për mirëmenaxhimin e ujërave në të gjithë rajonin mesdhetar. Në këtë takim merrnin pjesë ministra të vendeve të Mesdheut, si dhe të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Strategjia për ujërat është një dokument i rëndësishëm mbi bazën e të cilit do të orientohen politikat kombëtare të secilit vend anëtar të Mesdheut për mbrojtjen dhe mirëmenaxhimin e burimeve ujore. Takimi i ministrave të Mesdheut ishte i një rëndësie të veçantë, pasi i paraprin takimit të qershorit, ku do të jenë të pranishëm kryetarë të shteteve dhe qeverive të Mesdheut. Gjatë aktivitetit, ministri i Mjedisit pati takime bilaterale me homologë të tij. Gjithashtu, Mediu u prit në një takim edhe nga ministrja e Mjedisit të Spanjës, Elena Espinoza. Në këtë takim, dy ministrat diskutuan mbi çështjet e bashkëpunimit të mëtejshëm reciprok në fushën e mjedisit dhe gjithë sektorët që mbulohen nga mjedisi. Më tej, ministri Mediu prezantoi në takim përpjekjet e qeverisë shqiptare në administrimin e burimeve ujore, mbrojtjen dhe përmirësimin e cilësisë së ujërave në vendin tonë. Qëndrimi i Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave është se trashëgimia e pasur ujore e vendit tonë kërkon që këto pasuri të mirëmenaxhohen në mënyrë të integruar dhe mbi bazën e standardeve të Bashkimit Europian.

Vjedhjet në kryeqytet, prangosen në flagrancë tre persona

TIRANË - Tre të arrestuar për vjedhje në kryeqytet. Policia e Tiranës tha dje se, efektivët e Komisariatit Nr. 3 kanë vënë në pranga Erald Xhezarin, 18 vjeç, pasi në orën 18:00 të dy ditëve më parë, në bulevardin “Zogu I”, dyshohet se i ka vjedhur me dhunë telefonin celular dhe shumën e parave prej 500 lekësh një bashkëmoshatari të tij. Gjithashtu, në flagrancë është arrestuar dhe Roland Fejzullai, 34 vjeç, banues në Laprakë, pasi dyshohet se ka vjedhur banesën e një shtetasi, ku ka marrë 3 palë këpucë, 10 disketa kompjuteri, si dhe ka tentuar të vjedhë banesën në pronësi të një tjetër qytetari. Po dy ditë më parë, nga efektivët e policisë është ndaluar në flagrancë Saimir Kariqi, 25 vjeç, banues në Kodër-Kamzë, pa arsim, sepse në orën 05:00 është kapur duke tentuar të vjedhë në Rrugën e Durrësit disa kapakë pusetash.

17 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›