E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendja në Veri, Presidenti mbledh KSK

09/02/2005  Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, ka thirrur dje, në një mbledhje jashtë radhe "Këshillin e Sigurimit Kombëtar" për të diskutuar rreth problemit të emergjencave civile. Në këtë takim u analizuan problemet, me të cilat u përballën banorët e zonave verilindore për shkak të motit të këtyre ditëve, por dhe strukturat shtetërore përkatëse, që u morën me këtë problem. Në fjalën e tij, Presidenti i Republikës shtroi nevojën për një ndërgjegjësim publik në rritje dhe bashkëpunim të ngushtë me median për të rritur presionin publik e qytetar në funksion të përmirësimit të punës së institucioneve të ngarkuara me ligj për mbrojtjen e popullatës. "Strategjia për përballimin e emergjencave civile nuk duhet të mbetet vetëm një dokument në letër, strukturat përgjegjëse të jenë funksionale dhe efektive në kapërcimin e emergjencave, duke pasur si qëllim kryesor sigurimin e jetës së njerëzve, si komponenti bazë i sigurisë kombëtare. Jo gjithçka është në dorën tonë, por thelbësore është që kapacitetet që ne kemi dhe përgjegjësitë që na jep ligji të përdoren në funksion të plotë të parandalimit të emergjencave civile, ose në përballimin e tyre në kohë e cilësi", tha Presidenti Moisiu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›